Më 05 maj 2025, delegacioni i Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup, i kryesuar nga Dekani Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, i shoqëruar nga Prof. Dr. Shinazi Memedi, Prof. Dr. Hasan Xhilo dhe Sekretari i Fakultetit, Mr. Neim Misimi realizoi një vizitë zyrtare në Fakultetin e Studimeve Islame në Novi Pazar.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte nënshkrimi i Protokollit të Bashkëpunimit të Ndërsjellë ndërmjet dy institucioneve akademike, i cili u nënshkrua nga Dekani i FSHI-së, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, dhe Dekani i FSI-së në Novi Pazar, Prof. Dr. Enver Omeroviç. Të dy palët shprehën kënaqësinë për arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe ritheksuan gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme akademike, shkencore dhe kulturore.

Në vazhdim të vizitës, delegacioni u prit në takim zyrtar nga Kryetari i Meshihatit të Bashkësisë Islame dhe Muftiu i Sanxhakut, Dr. Mevlud ef. Dudiç, me të cilin u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve fetare dhe arsimore. Me këtë rast, Dekani Nesimi i përcolli Muftiut Dudiç përshëndetjet vëllazërore dhe selamet e ngrohta nga Reis ul Ulemaja i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, H. hfz. Shaqir ef. Fetai, si shprehje e respektit dhe afërsisë institucionale.

Po ashtu, delegacioni realizoi një takim miqësor dhe përmbajtësor me Rektorin e Universitetit të Novi Pazarit, Prof. Dr. Suad Beqiroviç, ku u shkëmbyen ide dhe propozime konkrete për bashkëpunim në nivel universitar, me fokus në projekte të përbashkëta akademike dhe kërkimore.

Në përfundim të takimeve, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti të ndërsjellë, u shkëmbyen dhurata simbolike. Dekani Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi u dhuroi nikoqirëve veprën e tij shkencore “Metodologjia e Muhamed Muteveli Esh-Sharavit në interpretimin e Kuranit fisnik”, si kontribut akademik dhe dëshmi e vlerësimit ndaj bashkëpunimit të sapo vendosur.