Më 3 nëntor 2026, në Fakultetin e Shkencave Islame – Shkup, në bashkëpunim me Institutin Konak, u organizua promovimi i librit të profesorit të njohur ndërkombëtarisht, Prof. Dr. Recep Şentürk, me titull “Adamiyyah: Unë jam, prandaj kam të drejta dhe detyrime”.

Në këtë aktivitet morën pjesë drejtues të Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame, drejtues dhe përfaqësues të Muftinive të BFI-së, Drejtori i Medresesë “Isa Beu”, profesorë, studentë dhe të ftuar të tjerë.

Aktiviteti u hap nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup, Prof. Dr. Abdulxhemil ef. Nesimi, i cili në fjalën e tij përshëndetëse shprehu kënaqësinë që Fakulteti ishte nikoqir i një veprimtarie të tillë akademike dhe kulturore. Ai theksoi rëndësinë e librit dhe të mendimit shkencor në formimin e individit dhe në ndërtimin e një shoqërie të mbështetur në dije, dinjitet, etikë dhe përgjegjësi. Njëkohësisht, përshëndeti autorin dhe të pranishmit, duke vlerësuar kontributin e tij në fushën akademike dhe intelektuale.

Programi nisi me leximin e ajeteve kuranore nga Mr. Eljesa Asani, duke i dhënë aktivitetit një dimension shpirtëror, ndërsa moderimin e realizoi studentja Rumejsa Aneti, e cila udhëhoqi me profesionalizëm rrjedhën e programit.

Më pas, Dr. Besnik Sinani, drejtor i Institutit Konak, bëri prezantimin e autorit, duke paraqitur profilin e tij akademik dhe intelektual, veprimtarinë dhe kontributin në fushën e studimeve dhe mendimit shkencor.

Në vazhdim, autori i librit, Prof. Dr. Recep Şentürk, para të pranishmëve shtjelloi idetë dhe mesazhet kryesore të veprës, duke u ndalur te koncepti i njeriut si qenie me dinjitet, vetëdije, të drejta dhe përgjegjësi. Përmes kësaj vepre, autori nxit reflektimin mbi raportin ndërmjet qenies njerëzore, të drejtave të saj dhe detyrimeve që ajo ka ndaj vetvetes, shoqërisë dhe njerëzimit.

Promovimi u zhvillua në një atmosferë akademike dhe bashkëbisedimi, duke ofruar mundësi për njohje më të thellë me veprën dhe për shkëmbim mendimesh rreth tematikave që ajo trajton.

Në përfundim të aktivitetit, Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Abdulxhemil ef. Nesimi, i ndau autorit, Prof. Dr. Recep Şentürk, një mirënjohje në shenjë vlerësimi për kontributin e tij akademik dhe pjesëmarrjen në këtë aktivitet, si dhe një dhuratë simbolike. Gjithashtu, një dhuratë simbolike iu nda edhe Drejtorit të Institutit Konak, Dr. Besnik Sinani, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për bashkëpunimin dhe kontributin në organizimin e këtij aktiviteti.

Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup shpreh falënderimet e tij për Institutin Konak për bashkëpunimin, për Prof. Dr. Recep Şentürk për prezantimin e veprës dhe kontributin e çmuar akademik, si dhe për të gjithë pjesëmarrësit që nderuan këtë aktivitet me praninë e tyre.

Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup mbetet i përkushtuar në organizimin e aktiviteteve të tilla akademike dhe kulturore, të cilat krijojnë ura bashkëpunimi ndërmjet studiuesve dhe institucioneve, promovojnë vlerat e dijes dhe kontribuojnë në pasurimin e jetës intelektuale dhe shkencore.