Në një aktivitet edukativo-mësimor, dy studente, Elma Ceka dhe Elmedina Osmani, para nxënësve të SHMI “Medreseja Isa Beu” paralelja e vajzave-Tetovë, prezantuan dy tema të rëndësishme që lidhen ngushtë me jetën dhe mësimet islame: “Etika dhe morali në islam” dhe “Vlerat e diturisë në islam”.
Etika dhe Morali në islam prezantim nga studentja Elma Ceka e cila u referua rëndësisë së etikës dhe moralit në Islam, duke theksuar se Islami është një fe që bazohet në parime të larta morale, të cilat janë të lidhura ngushtësisht me jetën e përditshme të besimtarëve. Ajo theksoi se morali islam është i orientuar drejt respektimit të të drejtave të individëve dhe të shoqërisë, dhe se ai nxit sjellje të mira, siç janë ndihma ndaj të varfërve, respekti për prindërit dhe dashuria për ata që janë rreth nesh.
Pjesa e dytë e prezantimit Vlerat e diturisë në islam, e realizuar nga studentja Elmedina Osmani, përqendrohej tek vlerat e diturisë në Islam. Elmedina e filloi këtë pjesë duke përmendur se në Islam, arsimimi dhe kërkimi i diturisë janë obligime të çdo besimtari, Në një hadith Profeti Muhamed (paqa e Zotit qoftë mbi të) thote: Kërko diturin, qoftë largësia të shpie deri në Kinë, që tregon vlerën e madhe të dijes dhe nevojën për ta ndjekur atë pa kufizime.
Poashtu theksoi se Islami jo vetëm që inkurajon kërkimin e dijes në fusha të ndryshme, por gjithashtu e shikon diturinë si një mjet për t’u afruar më shumë me Zotin. Ajo foli për rëndësinë e edukatës dhe ndikimin e saj në përmirësimin e kushteve shoqërore, duke përmendur se çdo person që arsimohen është më i aftë për të kontribuar në zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë.
Aktiviteti u organizua nga Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup, i cili përfshiu prezantimin e studentëve para nxënësve të SHMI “Medreseja Isa Beu” – paralelja e vajzave në Tetovë, shënoi një moment të rëndësishëm në promovimin e vlerave dhe mundësive që ofron ky fakultet.
Ky aktivitet është vetëm një nga shumë iniciativat që Fakulteti i Shkencave Islame ka planifikuar për të afruar më shumë rininë me mësimet dhe mundësitë akademike që ofron ky institucioni. Fakulteti ka për qëllim të vazhdojë me prezantime dhe aktivitete të ngjashme edhe në qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut, duke vizituar medresetë. Këto aktivitete kanë për qëllim të promovojnë vlerat e dijes dhe etikës islame, si dhe të krijojnë mundësi për rininë që të orientohen drejt një arsimimi të thelluar dhe një jete të mbushur me vlera të larta.