Më 03 mars 2026, në ambientet e Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, u realizua pranimi i një donacioni prej 12 laptopësh, të dhuruar nga donatori Taxhedin Ameti nga fshati Rramanli, Komuna e Kumanovës.
Në emër të institucionit, donacionin e pranoi Sekretari i Fakultetit, Mr. Naim Misimi, i cili përcolli falënderimet dhe mirënjohjen e Dekanit, Prof. dr. Abdulxhemil Nesimi, për donatorin, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Drejtori i Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame, H. Ismet Ademi, i ka ofruar Fakultetit ndër vite.
Kjo ndihmë përbën një kontribut të çmuar në përmirësimin e kushteve të punës dhe në avancimin e proceseve mësimore dhe administrative.
Laptopët e dhuruar do të shërbejnë për nevojat e stafit akademik, administratës, si dhe të Kuvendit të Studentëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit institucional dhe në përmbushjen e misionit arsimor dhe edukativ të Fakultetit.
Fakulteti i Shkencave Islame shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë donatorët për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj kësaj vatre të dijes.
Ky akt solidariteti, veçanërisht në muajin e bekuar të Ramazanit, dëshmon për përgjegjësinë e përbashkët në shërbim të arsimit, dijes dhe formimit të brezave të ardhshëm.


