Të dashur studentë, të nderuar kolegë dhe gjithë ju të pranishëm
Më lejoni t’ju uroj suksese dhe mbarësi për fillimin e vitit të ri akademik 2022-23. Ky është një fillim vit pak më i qetë për dallim nga dy vitet e kaluara, që ishin të diktuara nga situata e përgjithshme e zhvillimit të pandemisë për shkak përhapjes së virusit Covid 19, që na detyroi të riorganizohemi në interes të zhvillimit të proceseve akademike në kushte të imponuara. Në këtë situatë të pazakontë, por të përkohshme ruajtja e shëndetit ka qenë dhe gjithnjë do të ngelë prioritit. FSHI ndërmori të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e shëndetit të studentëve, personelit akademik dhe stafit ndihmës. Autoritetet dhe organet drejtuese u angazhuan dhe morën përsipër përgjegjësinë e garantimit të proceseve akademike, pavarësisht vështirësive dhe të papriturave që mund të krijoheshin nga kjo pandemi. Të njëjtin veprim po bën edhe sot, pas krizës së paralajmëruar energjetike, për të garantuar proces akademik te mbarë.
Të nderuar kolegë dua t’u falënderoj për punën dhe përkushtimin tuaj në përmbushjen e detyrimeve për mbarëvajtjen e zhvillimit të vitit të ri akademik. Pavarësisht nga vështirësitë, të cilësdo natyre qofshin ato, jam i bindur se edhe ky vit do të jetë i suksesshëm falë punës, energjisë, kontributit të secilit prej jush dhe eksperiencës së fituar në përmbylljen e vitit të shkuar akademik.
Të nderuar studentë ju uroj edhe njëherë suksese, veçanërisht ky urim ju drejtohet studentëve që hyjnë për herë të parë në programin e FSHI-së, të cilëve ju themi mirë se vini në FSHI. FSHI është një institucion emblematik i sistemit kombëtar të arsimit të lartë fetar në RMV, i cili ofron arsim në shkencat islame. FSHI, e udhëhequr nga një staf pedagogjik me përvojë, në një godinë moderne, motivuese, me standarde, do të ecim në rrugën e zhvillimit të një prej profesioneve më fisnike që përçon fjalën e Allahut xh.sh., pra fjalën kuranore. Jam i bindur se do të përmbushim ëndrrat tuaja dhe vizionet e kulturave që përfaqësoni përmes angazhimit, bashkëpunimit dhe përgjegjësisë së përbashkët. Të dashur studentë, të nderuar të pranishëm, ne jemi përpjekur gjithmonë për të ndërtuar një fakultet modern dhe proaktiv që përqendrohet tërësisht tek studenti në mënyrë që ai të ndihet gjithmonë i kënaqur dhe i përmbushur në të gjitha aspektet akademike. Gjatë gjithë veprimtarisë së vet, FSHI është cilësuar si një institucion i respektueshëm, shembullor dhe pa problematika që mund të cenojnë apo dëmtojnë imazhin e fituar ndër vite. Vlen të përmendet gjithashtu se FSHI duke u bazuar në performancën akademike të mësimdhënies dhe aktivitetin kërkimor-shkencor, ka shënuar arritje të ndjeshme në përmasa edhe më të gjera.
Në cilësinë e Dekanit të FSHI-së do të kërkoja mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj për ta vijuar këtë vit akademik me të gjitha kapacitetet tona, përkushtimin, vullnetin e mirë dhe besimin e palëkundur se shumë shpejt do t’i rikthehemi normalitetit, se gjithçka do të funksionojë siç duhet dhe se shpresa për t’ia dalë mbanë e për t’u ngritur më të fortë, nuk do të humbasë për asnjë moment.
Të gjithëve ne po japim dhe do të japim kontributin personal për ta bërë këtë fakultet më të mirë, më të suksesshmin jo vetëm në vend por edhe përtej kufijve, për të punuar sa më shumë në emër të kësaj të mire të përbashkët, për të krijuar fushat e komunikimit, arsimimit dhe kërkimit shkencor sa më komode dhe të përshtatshme. Prandaj, unë dhe i gjithë stafi akademik dëshirojmë t’u sigurojmë studentëve tanë një bazë të shëndoshë dhe solide të njohurive që mund t’i ndihmojë ata në karrierën e tyre të sigurte në të ardhmen.
Më lejoni t’ju uroj nga zemra një rrugëtim të mbarë akademik dhe plot suksese!
Zoti ju bekoftë!