Sot ishte një ngjarje me rëndësi të veçantë për Fakultetin e Shkencave Islame – Shkup. Prof. dr. Hajredin Hoxha, intelektual shqiptarë dhe një autoritet i pakontestuar në botën akademike dhe anëtar i Kryesisë së Ligës Botërore të Dijetarëve Myslimanë me seli në Doha, Katar, vizitoi institucionin tonë FSHI- Shkup ku mbajti një ligjëratë për studentët dhe stafin akademik. Kjo vizitë ishte një moment i rëndësishëm për të gjithë të pranishmit, duke pasur parasysh reputacionin dhe ndikimin që prof. dr. Hajredin Hoxha ka në botën islame dhe ate akademike.
Gjatë ligjëratës së tij, prof. dr. Hajredin Hoxha ofroi këshilla të çmuara, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit ndaj jetës shpirtërore dhe ngritjes intelektuale. Në fjalimin e tij, ai u bëri thirrje të rinjve dhe studiuesve të pranishëm që të jenë në vijimësi të përditësuar me zhvillimet e fundit shkencore, teknologjike dhe intelektuale, duke i dhënë përparësi kultivimit të dijeve në dobi të shoqërisë. Sidoqoftë, ai theksoi gjithashtu se përditësimi intelektual duhet të shoqërohet gjithmonë me kujdesin për jetën shpirtërore dhe morale.
“Jeta shpirtërore është themeli mbi të cilin ndërtohet një intelekt i fuqishëm. Vetëm një individ që përpiqet për një harmoni të brendshme mes përkushtimit shpirtëror dhe rritjes intelektuale mund të përmbushë potencialin e tij të plotë, si në aspektin akademik ashtu edhe në atë moral,” theksoi ai. Prof. dr. Hajredin Hoxha nënvizoi gjithashtu rëndësinë e disiplinës dhe përkushtimit ndaj studimit, duke i nxitur studentët të jenë udhëheqës të mendimit dhe veprimit në shoqëritë e tyre.
Përveç fjalimit të tij frymëzues, prof. dr. Hajredin Hoxha bëri një gjest të veçantë ndaj Fakultetit, duke dhuruar disa tituj të rëndësishëm librash që pasuruan më tej bibliotekën e institucionit. Këta libra, që përfaqësojnë studime të thelluara në fusha të dijes islame, do të jenë një burim i vlefshëm për studentët dhe profesorët, duke i mundësuar atyre qasje në literaturë bashkëkohore dhe të dobishme.
Dekanati i Fakultetit të Shkencave Islame-Shkup shprehu mirënjohjen e tij të thellë për vizitën e bërë dhe për kontributin e tij çmuar. “Ne jemi thellësisht mirënjohës për vizitën që na bëtë si dhe për dhurimin e këtyre librave, të cilat do të kontribuojnë në pasurimin e bibliotekës sonë dhe do të ndihmojnë studentët tanë në përparimin e tyre akademik. Këto vepra janë një testament i vlerës së lartë që ka shkenca islame në botën akademike dhe një burim i rëndësishëm për brezat e ardhshëm të studiuesve,” u shpreh dekani.
Vizita e prof. dr. Hajredin Hoxhës la gjurmë të thella në mendjet dhe zemrat e të gjithë të pranishmëve, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë të ndjekin rrugën e dijes me përkushtim, ndërsa gjithmonë të jenë të lidhur me thelbin e moralit dhe shpirtit.