Sot, më 30.12.2024, Këshilli Mësimor Shkencor i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup mbajti mbledhjen e tij të 62-të të rregullt, të cilën e kryesoi dekani i fakultetit, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi.

Mbledhja u hap me ajete kur’anore të lexuara nga studenti i fakultetit, Ismail Ismaili.

Në fillim, dekani, në emër të tij dhe të stafit akademik, falënderoi për prezencën Kryetarin e BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef Fetahu, dhe e uroi atë për ardhjen, së bashku me drejtorin e sektorit për çështje fetare, z. Fejzulla Sadiki. Dekani theksoi rëndësinë e mbledhjes për të diskutuar çështje thelbësore që ndihmojnë në zhvillimin e mjedisit akademik dhe përmirësimin e kushteve të studimit për studentët dhe stafin akademik.

Mbledhja u fokusua kryesisht në disa pika kyçe:

  • Vendimi për zgjedhjen e anëtarëve të komisionit për përgatitjen e programit vjetor të punës për vitin akademik 2024-2025 të Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup;
  • Raporti vjetor i punës së dekanit të Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup. Dekani fillimisht falënderoi Këshillin Mësimor Shkencor për punën e tyre gjatë vitit që po lëmë pas, dhe më pas shpalosi aktivitetet dhe projektet që janë realizuar gjatë vitit 2024. Ai e cilësoi vitin 2024 si një vit të suksesshëm për sa i përket organizimeve dhe projekteve të fakultetit, duke i informuar anëtarët e Këshillit edhe për projektet që planifikohen të realizohen në vitin 2025.

Mbledhja vazhdoi me diskutimet e anëtarëve të Këshillit Mësimor Shkencor lidhur me punët e kryera dhe ato që janë të planifikuara.

Kryesuesi i mbledhjes, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, e informoi Reisin dhe stafin akademik lidhur me procedurën e zgjedhjes së dekanit dhe për vendimin pozitiv të Inspektoratit të Arsimit, i cili e konsideroi çështjen e zgjedhjes së dekanit të mbyllur. Në këtë pikë të rendit të ditës, u inkuadrua edhe Kryetari i BFI-së, Shaqir ef Fetahu, i cili uroi stafin akademik për zgjedhjen e dekanit, Komisionin për Zgjedhje dhe Emërim, si dhe ushtruesin e detyrës së dekanit, Prof. Dr. Hasan Xhilo, për angazhimin e tij që zgjedhjet të zhvillohen konform Statutit dhe Rregullores së Fakultetit.

Në mbledhje u mor vendim për zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve për:

a) Komisionin për Çështje Arsimore dhe Shkencore; b) Komisionin Disiplinor në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup.

Mbledhja e Fakultetit të Shkencave Islame në fund të vitit, ku mori pjesë Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir ef Fetahu, ka pasur një rëndësi të veçantë për përmbledhjen e aktiviteteve dhe arritjeve të vitit, si dhe për planifikimin e hapave të ardhshëm në fushën e arsimit dhe studimeve islame. Ky lloj takimi ka për qëllim vlerësimin e zhvillimeve të Fakultetit të Shkencave Islame, diskutimin e sfidave dhe mundësive për përmirësimin e arsimit fetar, ku temë thelbësore ishte bashkëpunimi i ngushtë mes Bashkësisë Fetare Islame dhe fakultetit.