Fakulteti i Shkencave Islame mirëpriti një delegacion akademik nga Fakulteti i Studimeve Islame të Novi Pazarit, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit akademik ndërmjet dy institucioneve të arsimit të lartë islam.
Delegacioni u prit nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, i cili shprehu kënaqësinë për këtë vizitë dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar në fushën e studimeve islame, kërkimit shkencor dhe zhvillimit akademik të studentëve.
Nga ana tjetër, Dekani i Fakultetit të Studimeve Islame të Novi Pazarit, Prof. Dr. Enver Omerovic, falënderoi për mikpritjen e ngrohtë dhe vlerësoi gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve akademike ndërmjet dy fakulteteve. Ai theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të lidhjeve shkencore ndërinstitucionale.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme akademike, duke përfshirë shkëmbimin e stafit akademik, organizimin e konferencave shkencore të përbashkëta, si dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore.
Në kuadër të vizitës ishin të pranishëm edhe studentë nga të dy fakultetet, të cilët patën mundësinë të takohen, të njihen dhe të shkëmbejnë përvoja akademike dhe studentore, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi dhe komunikimi.
Delegacioni u prit gjithashtu nga Reis ul-Ulema, H. Hafëz Shaqir ef. Fetahi, i cili u uroi mirëseardhje dhe e vlerësoi këtë vizitë si një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve shkencore dhe fetare ndërmjet institucioneve arsimore islame.
Në përfundim të vizitës, të dy palët shprehën vullnetin për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen, me synim avancimin e cilësisë së arsimit islam dhe zhvillimin e mëtejshëm shkencor në të dy institucionet.