Sot, më 16.12.2025, në ambientet e Fakultetit të Shkencave Islame u zhvillua paneli shkencor me temë
“Roli i fesë në shoqërinë bashkëkohore multikulturore”, i realizuar në bashkëpunim me Komisionin për Bashkëpunim me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze.
Paneli u hap me një citat kuranor, të lexuar nga studenti i Fakultetit të Shkencave Islame, Mervan Ejupi. Fjalën hyrëse e mbajti dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Prof. dr. Abdulxhemil Nesimi, i cili përshëndeti të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e dialogut ndërfetar në një shoqëri multikulturore. Në fjalimin e tij, dekani përcolli edhe mesazhin përshëndetës të Reis-ul-Ulemasë, H. hfz. Shaqir Fetait, i cili përgëzoi iniciativën dhe uroi suksese në organizime të tilla akademike.
Panelin e përshëndeti gjithashtu drejtoresha e Komisionit për Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze, znj. Olivera Trajkovska, e cila vlerësoi iniciativën e Fakultetit të Shkencave Islame dhe bashkëpunimin e vendosur ndërinstitucional.
Panelistë në këtë aktivitet shkencor ishin:
Prof. dr. Faredin Enibi
Prof. dr. Milan Gjorgjeviq
Doc. dr. Abdulkerim Iseni
Prof. dr. Beqir Memedi
Në panel mori pjesë edhe ushtruesi i detyrës së dekanit të Fakultetit të Bogosllavisë, Doc. dr. Ilce Micevski-Ignat, i shoqëruar nga bashkëpunëtori i tij dhe studentë nga i njëjti fakultet, i cili shprehu entuziazmin dhe mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë nga ana e Fakultetit të Shkencave Islame.
Panelin e moderoi studentja e vitit të katërt, Ebru Ajdari, ndërsa përkthimin nga gjuha shqipe në gjuhën maqedonase e realizoi Prof. dr. Jusuf Mustafai. Në realizimin e këtij paneli, kontribut të rëndësishëm dha edhe Besim Memedi, koordinator në Komisionin për Bashkëpunim me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze.
Në fund të panelit, studentët nga të dy fakultetet parashtruan pyetje dhe zhvilluan diskutime të hapura me panelistët, duke e pasuruar më tej debatin akademik. Në përmbyllje të aktivitetit, dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, së bashku me drejtoreshën Olivera Trajkovska, ndanë mirënjohje për panelistët dhe bashkëpunëtorët e këtij aktiviteti shkencor.