Sot, më 13.02.2025, Fakulteti i Shkencave Islame organizoi mbledhjen e 63-të me një rend dite të rëndësishëm. Mbledhjen e kryesoi dekani i Fakultetit, prof. dr. Abdulxhemil Nesimi, e cila u hap me leximin e një pjese të Kuranit nga studenti Ismail Ismaili.
Në fillim, dekani përshëndeti pjesëmarrësit dhe në emër të tij dhe të stafit akademik, Reis Ulema H. hfz. Shaqir ef. Fetahi i uroi mirëseardhje duke falënderuar gjithashtu për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkësia Fetare Islame i ofron Fakultetit të Shkencave Islame. Ky angazhim i palodhur, është një ndihmesë e çmuar në avancimin dhe zhvillimin e proceseve akademike dhe shkencore të fakultetit.
Nga ana e tij, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, H. hfz. Shaqir ef. Fetahi, përshëndeti dekanin dhe stafin akademik, duke i falënderuar për angazhimin e tyre në mirëvajtjen e procesit edukativ. Ai gjithashtu shfrytëzoi rastin për t’u uruar profesorëve dhe studentëve muajin e bekuar të Ramazanit, duke ftuar ata të bashkohen me karavanin e Riasetit të BFI dhe të kontribuojnë me aktivitete që përçojnë mesazhet e këtij muaji të shenjtë.
Në rend dite ishin:
- Formimi i komisionit recenzues për konkursin për zgjedhjen-rizgjedhjen e mësimdhënësve në të gjitha thirrjet mësimore-shkencore të shpallur më date 24.12.2024.
- Dalja në dritë e numrit të ri të “PËRMBLEDHJE PUNIMESH”.
- Angazhimi i profesorëve dhe demonstratorëve për semestrin veror 2024/25.
Mbledhja kishte për qëllim planifikimin dhe organizimin e aktiviteteve akademike për semestrin e ardhshëm, duke përfshirë përgatitjen e materialeve mësimore, hartimin e orareve të ligjëratave dhe çdo plan tjetër të nevojshëm për realizimin e semestrit veror.