Një delegacion i Fakultetit të Shkencave Islame, i udhëhequr nga Dekani, Prof. dr. Abdulxhemil Nesimi, i shoqëruar nga anëtarë të stafit akademik dhe administrativ, zhvilloi një vizitë zyrtare te Reis-ul-Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, me rastin e urimit për marrjen e titullit akademik Doctor Honoris Causa, akorduar nga Fakulteti i Shkencave Islame.
Me këtë rast, Dekani Prof. dr. Abdulxhemil Nesimi përcolli urimet më të përzemërta në emër të Fakultetit, duke theksuar se ky titull përfaqëson një vlerësim të lartë institucional për kontributin e jashtëzakonshëm të Reis-ul-Ulemas në afirmimin e vlerave islame, zhvillimin e arsimit fetar dhe udhëheqjen e Bashkësisë Fetare Islame. Ai nënvizoi se nderimi i personaliteteve të tilla është njëkohësisht nder për institucionin dhe frymëzim për brezat e rinj.
Reis-ul-Ulema falënderoi përzemërsisht Fakultetin e Shkencave Islame për këtë vlerësim prestigjioz, duke shprehur mirënjohjen e tij ndaj Dekanit, Këshillit Mësimor-Shkencor të Fakultetit te Shencave Islame. Ai vlerësoi lart rolin e Fakultetit në përgatitjen e kuadrove të dijes islame dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në shërbim të arsimit, shkencës dhe komunitetit.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, Dekani, Prof dr. Abdulxhemil Nesimi i dhuroi Reis-ul-Ulemas veprën e tij më të re shkencore, të botuar së fundmi nga Fakulteti i Shkencave Islame, si simbol i angazhimit të institucionit në zhvillimin e mendimit akademik dhe promovimin e literaturës shkencore islame.
Vizita u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, miqësore dhe vëllazërore, duke dëshmuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Fakultetit të Shkencave Islame dhe Bashkësisë Fetare Islame, si dhe përkushtimin e përbashkët për avancimin e arsimit, kërkimit shkencor dhe ruajtjen e vlerave të mirëfillta islame.



