Sot, më 26 dhjetor 2024, Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, pati kënaqësinë të priste për vizitë Myftiun e nderuar të Strugës, Adi ef. Murtishin, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
Në pritje të delegacionit ishin Prof. Dr. Jusuf Mustafai, Prof. Dr. Naser Ramadani dhe Dr. Taxhedin Bislimi, të cilët kontribuan në këtë takim miqësor dhe të rëndësishëm.
Dekani Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi shprehu falënderime të sinqerta për vizitën e nderuar dhe pati mundësinë t’i informonte shkurtimisht të ftuarit mbi aktivitetet, arritjet dhe përpjekjet e vazhdueshme të Fakultetit të Shkencave Islame, një qendër e rëndësishme e dijes dhe edukatës islame në rajon.
Në mënyrë të ngrohtë, Myftiu Adi ef. Murtishi e uroi Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi për detyrën e re si Dekan dhe i shprehu urimet më të mira për realizimin e misionit të tij dhe për përparimin e Fakultetit të Shkencave Islame, duke e cilësuar atë një institucion lider fetar dhe intelektual në rajon.
Në shenjë nderimi dhe respekti, Myftiu Adi ef. Murtishi i dhuroi Dekanit një pikturë të veçantë, që paraqet Drinin e Zi, lumë i cili ndan qytetin e Strugës në dy pjesë. Ai e shpjegoi këtë dhuratë duke ndarë kujtime nga koha kur ai vetë ka qenë student në Fakultetin e Shkencave Islame dhe ligjëratat e profesorëve gjatë interpretimit të ajetit kur’anor “(Ai) që krijoi për ju tokën si shtrat, qiellin si bazë (të mbijetesës suaj) dhe prej qiellit zbriti ujë dhe nëpërmjet tij nxori fruta të çdollojshme si ushqim për ju.”
Vizita kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, ku Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup, si një institucioni i njohur për mikpritjen dhe vlerat që promovon, krijoi një ambient të përsosur për shkëmbimin e ideve dhe forcimin e lidhjeve të frytshme. I urojmë Myftiut dhe bashkëpunëtorëve të tij shumë shëndet, sukses dhe përparim në çdo aspekt të jetës dhe veprimtarisë së tyre.