Më 16.10.2025, një delegacion i udhëhequr nga Reis ul Ulema, me pjesëmarrjen e Dekanit të Fakultetit të Shkencave Islame, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, drejtorit të Medresesë dhe Drejtorit për Diasporë, mori pjesë në simpoziumin shkencor të mbajtur në Cyrih të Zvicrës, organizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër.

Simpoziumi u zhvillua me temën:
“Xhamitë shqiptare në mërgatë në shërbim të kombit, fesë dhe integrimit”,
duke tubuar përfaqësues të bashkësive islame nga Shqipëria, Kosova, imamë, studiues, përfaqësues institucionalë, aktivistë komunitarë dhe drejtues të unioneve islame shqiptare nga disa vende të Evropës.

Gjatë punimeve u trajtuan çështje që lidhen me rolin e institucioneve fetare shqiptare në ruajtjen e identitetit kulturor, forcimin e komunitetit dhe nxitjen e integrimit pozitiv në shoqëritë perëndimore.

Në sesionet e simpoziumit morën pjesë edhe profesoresha, të cilat paraqitën kumtesat e tyre shkencore, duke sjellë perspektiva kërkimore dhe qasje të rëndësishme mbi kontributin e institucioneve fetare në diasporë.

Diskutimet u fokusuan kryesisht në rolin e xhamive shqiptare në mërgatë si shtylla të identitetit fetar, kulturor dhe kombëtar. U theksua veçanërisht rëndësia e tyre në ruajtjen e vlerave, forcimin e kohezionit komunitar dhe promovimin e integrimit të shëndoshë në shoqëritë perëndimore.

Pjesëmarrja e delegacionit përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit shkencor, institucional dhe komunitar në nivel ndërkombëtar.