Sot, më 06.05.2026, në një atmosferë solemniteti dhe me pjesëmarrje të gjerë institucionale, u zhvillua ceremonia e inaugurimit të Xhamisë historike Haxhi Mahmud Bej në Manastir, një ngjarje me rëndësi të veçantë për trashëgiminë islame, identitetin kulturor dhe jetën shpirtërore të besimtarëve në vend.
Në këtë ngjarje të shënuar mori pjesë edhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, duke përfaqësuar institucionin akademik dhe misionin e tij në ruajtjen, afirmimin dhe avancimin e vlerave fetare dhe arsimore islame.
Ceremonia u nderua me praninë e Reisul Ulemas së Bashkësisë Fetare Islame, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahi, i shoqëruar nga myftinj të vendit, drejtorë të Rijasetit, drejtori i Medresesë së Vajzave në Gostivar, profesorë nga Fakulteti i Shkencave Islame dhe Medreseja, mysafirë të lartë nga Republika e Turqisë, zëvendësministri i Kulturës, Nadir Allasllani, atasheu turk, si dhe përfaqësues të institucioneve të Vakëfit.
Programi solemn filloi me leximin e Kur’anit Famëlartë, duke i dhënë ceremonisë dimensionin e saj shpirtëror dhe simbolik. Të pranishmit i përshëndeti Myftiu i Myftinisë së Manastirit, H. Hamit ef. Rasimi, i cili vlerësoi lart restaurimin dhe rikthimin e kësaj xhamie në funksionin e saj autentik fetar dhe shoqëror.
Në fjalën e tij, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahi shprehu mirënjohje për të gjithë kontribuuesit dhe donatorët që mundësuan rikthimin e kësaj xhamie në shërbim të xhematit, duke theksuar se për një periudhë të gjatë objekti kishte humbur funksionalitetin e tij, pasi ishte shndërruar në depo dhe ishte larguar nga roli i tij natyror si qendër adhurimi dhe edukimi shpirtëror.
Ai theksoi se rikthimi i Xhamisë Haxhi Mahmud Bej nuk paraqet vetëm një restaurim arkitektonik, por edhe një rikthim të identitetit historik, kulturor dhe shpirtëror të qytetit të Manastirit.
Duhet theksuar se gjatë kësaj jave janë inauguruar gjithsej 202 objekte fetare, ndërsa vetëm sot janë inauguruar katër institucione me rëndësi të veçantë:
• KAHRAMANMARAŞ – Xhamia e Madhe (Ulu Camii)
• MAQEDONIA E VERIUT, MANASTIR – Xhamia Haxhi Mahmud Bej
• STAMBOLL – Medreseja Bejazid, Muzeu i Arteve të Kaligrafisë së Vakëfeve Turke
• STAMBOLL – FSM, Fakulteti i Inxhinierisë dhe Fakulteti i Artit, Dizajnit dhe Arkitekturës
Kjo i dha ngjarjes një dimension të veçantë fetar, historik dhe institucional.
Në ceremoninë e inaugurimit u lidh drejtpërdrejt edhe Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke i dhënë kësaj ngjarjeje një rëndësi të veçantë ndërkombëtare dhe institucionale.
Pjesëmarrja e Dekanit të Fakultetit të Shkencave Islame në këtë ceremoni dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Fakultetit në mbështetjen e trashëgimisë islame, forcimin e bashkëpunimit me institucionet fetare dhe promovimin e vlerave që ndërtojnë identitetin akademik, kulturor dhe shpirtëror të shoqërisë sonë.