Më datë 15.11.2026, një delegacion i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga Reisul-Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai dhe i shoqëruar nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, Drejtori i Medresesë, Dr. Islam Islami, si dhe përfaqësues të Rijasetit të BFI-së, mori pjesë në ceremoninë solemne të inaugurimit të Reisul-Ulemasë së Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, Prof. Dr. Nexhat ef. Grabus.

Kjo ceremoni e rëndësishme institucionale dhe fetare shënoi një moment të veçantë në jetën e Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke dëshmuar vazhdimësinë e traditës së saj institucionale, rëndësinë e udhëheqjes fetare dhe përkushtimin ndaj vlerave islame.

Pjesëmarrja e delegacionit të BFI-së në këtë ngjarje solemne përbën një dëshmi të respektit të ndërsjellë, të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy bashkësive islame dhe të përkushtimit të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit institucional, fetar dhe akademik në rajon.

Në ditën e parë të marrjes së mandatit dhe fillimit të ushtrimit të detyrës, Reisul-Ulema i Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, Prof. Dr. Nexhat ef. Grabus, priti delegacionin e BFI-së, të kryesuar nga Reisul-Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai. Me këtë rast, ai shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij për pjesëmarrjen e delegacionit në ceremoninë solemne të inaugurimit, duke e vlerësuar praninë e delegacionit si shprehje të respektit të ndërsjellë dhe të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy institucioneve.

Kjo vizitë dhe pjesëmarrje në një ngjarje kaq të rëndësishme për Bashkësinë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë rikonfirmon lidhjet vëllazërore dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve, si dhe përkushtimin e tyre ndaj avancimit të jetës fetare, arsimore dhe institucionale në rajon.

Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup i përcjell Reisul-Ulemasë së sapoinauguruar, Prof. Dr. Nexhat ef. Grabus, urimet më të përzemërta, duke i dëshiruar suksese, urtësi dhe mbarësi në ushtrimin e kësaj detyre të lartë, në shërbim të Bashkësisë Islame dhe të besimtarëve në Bosnjë dhe Hercegovinë.