Në një atmosferë solemne dhe akademike, Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup shënoi hapjen e Vitit të Ri Akademik 2026/2027, duke shënuar fillimin e një cikli të ri të dijes, formimit akademik dhe përgatitjes profesionale të studentëve.
Në ceremoninë solemne morën pjesë Reis-ul-Ulema, h. hfz. Shaqir ef. Fetai, përfaqësues të Myftinive, profesorë dhe bashkëpunëtorë të Fakultetit, si dhe studentë të rinj dhe të rregullt.
Në fjalën e tij, Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, theksoi rëndësinë e arsimit të lartë islam në kohën bashkëkohore dhe përgjegjësinë e Fakultetit për të ofruar dije të qëndrueshme, formim akademik dhe edukim të mbështetur në vlerat islame. Ai veçoi rolin e Fakultetit si një hallkë të rëndësishme në përgatitjen e kuadrove të nevojshme për institucionet fetare dhe shoqërinë.
Një fjalë përshëndetëse dhe një mesazh për studentët dhe komunitetin akademik përcolli edhe Reis-ul-Ulema, h. hfz. Shaqir ef. Fetai, duke i uruar Fakultetit, profesorëve dhe studentëve një vit të suksesshëm akademik, me rezultate në dije, edukim dhe shërbim ndaj komunitetit.
Në këtë kuadër, u vlerësua edhe roli i Myftinive si hallka të rëndësishme institucionale, përmes të cilave studentët nga treva të ndryshme i bashkohen rrugëtimit akademik në Fakultetin e Shkencave Islame – Shkup.
Ceremonia vijoi me ndarjen e indekseve për studentët, duke shënuar simbolikisht fillimin e rrugëtimit të tyre të ri akademik. Për studentët e rinj, ky moment përfaqësoi hapin e parë drejt një etape të re të kërkimit të dijes, ndërsa për studentët e tjerë, vazhdimin e rrugëtimit të tyre në studimet islame.
Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup u uron të gjithë studentëve një vit të mbarë dhe të suksesshëm akademik 2026/2027, me dije të dobishme, përkushtim, arritje akademike dhe perspektivë të denjë profesionale.

















