Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Prof. dr. Abdulxhemil Nesimi, së bashku me profesorët e Fakultetit, mori pjesë në ceremoninë solemne të ndarjes së diplomave për gjeneratën e re të maturantëve të Medresesë.

Fjalën e rastit e mbajti Reis-ul-Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahi, i cili i përgëzoi maturantët për përfundimin me sukses të shkollimit të tyre në Medrese dhe i inkurajoi ata që të vazhdojnë rrugën e dijes, përkushtimit dhe shërbimit ndaj fesë, atdheut dhe shoqërisë.

Në këtë ngjarje të rëndësishme arsimore dhe fetare, diplomat u ndanë nga Reis-ul-Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahi, Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame Prof. dr. Abdulxhemil Nesimi, drejtori i Medresesë, Dr. Islam Islami, si dhe myftinjtë e myftinive të vendit, të cilët me praninë e tyre nderuan këtë moment të veçantë për maturantët dhe familjet e tyre.

Ceremonia u zhvillua në një atmosferë festive dhe plot emocione, duke shënuar kurorëzimin e viteve të përkushtimit, punës dhe angazhimit të nxënësve në rrugëtimin e tyre arsimor. Të pranishmit patën mundësinë të ndajnë gëzimin e këtij suksesi me maturantët, të cilët tashmë hapin një kapitull të ri në jetën e tyre akademike dhe profesionale.

Pjesëmarrja e Dekanit të Fakultetit të Shkencave Islame në këtë ceremoni dëshmon bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet institucioneve arsimore islame dhe përkushtimin e tyre të përbashkët për edukimin, formimin dhe avancimin e brezave të rinj në frymën e dijes, vlerave dhe përgjegjësisë shoqërore.