Më 23 qershor 2025, Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup organizoi me solemnitet ceremoninë e Absolventiadës për gjeneratën 2021–2025 në ambientet e Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut. Kjo ngjarje përmbyllëse shënoi jo vetëm fundin e një etape akademike për studentët, por edhe një moment falënderimi, reflektimi dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që kontribuojnë në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Në cilësinë e nikoqirit të mbrëmjes, Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, mbajti një fjalim përshëndetës ku theksoi rolin e Fakultetit si vatër e dijes dhe formimit shpirtëror, përgëzoi absolventët për përkushtimin e tyre gjatë viteve të studimeve, dhe falënderoi stafin akademik, familjet e studentëve dhe Bashkësinë Fetare Islame për mbështetjen e pakursyer ndër vite. Ai rikujtoi se diploma nuk është vetëm një shpërblim për punën e bërë, por mbi të gjitha një përgjegjësi që duhet bartur me moral, dinjitet dhe përkushtim në shërbim të shoqërisë dhe fesë.
Pas tij, me një fjalë të veçantë u drejtua edhe Reis ul Ulemaja i Bashkësisë Fetare Islame, H. hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili në mënyrë të thellë dhe frymëzuese foli mbi rëndësinë e dijes si themel i karakterit dhe përgjegjësisë. Ai i inkurajoi absolventët që të jenë bartës të moralit, të dijes dhe shërbimit ndaj komunitetit dhe atdheut.
Në emër të gjeneratës, fjalë përshëndetëse mbajti studenti absolvent Velid Asipi, i cili ndau me të pranishmit disa reflektime mbi rrugëtimin studentor, falënderoi profesorët për përkushtimin dhe mbështetjen e dhënë, dhe shprehu mirënjohje për kujtimet dhe përvojat e çmuara të fituara gjatë viteve në Fakultetin e Shkencave Islame.
Në mesin e mysafirëve të nderuar që morën pjesë në këtë ceremoni ishin: Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup Prof. Dr. Bekim Fetaji, Rektori i Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik Prof. Dr. Lütfi Sunar, Rektori i Universitetit Ndërkombëtar Vizion Prof. Dr. Ahmet Vecdi Can së bashku me Prorektorin Prof. Dr. Mensur Nuredini, Dekani i Fakultetit të Teologjisë Ortodokse Prof. Dr. Dejan Borisov, drejtori i Medresesë “Isa Beu” Dr. Islam Islami, muftinj nga mbarë vendi, drejtues të sektorëve të Rijasetit të BFI-së, si dhe figura të tjera të rëndësishme akademike dhe fetare.
Me vendim të Fakultetit, si studente e gjeneratës u shpall Elmedina Osmani nga fshati Pirok i Tetovës, e cila u vlerësua lartë për suksesin e saj të vazhdueshëm akademik. Ajo u nderua me një lëvdatë nga ana e Dekanit dhe me një dhuratë simbolike nga ana e Reis ul Ulemasë.
Pjesë e programit ishte edhe ilahisti i njohur Nderim Alimi, i cili me interpretimin e tij krijoi një atmosferë të veçantë shpirtërore dhe solemne.
Në fund të ceremonisë, certifikatat u shpërndanë nga Reis ul Ulemaja, Dekani, Prodekani, Assoc. Prof. Dr. Ziber Lata, si dhe rektorët mysafirë, duke përmbyllur me solemnitet dhe dinjitet këtë moment të rëndësishëm për gjeneratën 2021–2025.
Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup u uron të gjithë absolventëve suksese të mëtutjeshme në jetë dhe i inkurajon të vazhdojnë të jenë bartës të dijes, vlerave dhe shërbimit të dobishëm për shoqërinë.