Me datë 23 Shkurt 2023, në kryeqendrën e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi, prodekani i FSHI-së, Muaz Agushi, morri pjesë në Konferencën e parë ndërkombëtare “Strategjitë e ardhshme të edukimit, inkuadrimi dhe barazia e të paprivilegjuarve”, të organizuar nga Organizata Ndërkombëtare “Edukatorët pa kufij” me seli në Gjenevë  të Zvicrës.
Gjatë pesë sesioneve u diskutuan një sërë temash, duke përfshirë kushtet dhe sfidat me të cilat përballet mësimdhënia dhe të mësuarit në rajonet më pak të zhvilluara, dhe se si pandemia i shtyu arsimtarët të rishqyrtojnë metodologjitë dhe programet e reja për t’u marrë me këto sfida. Gjithashtu u diskutua edhe për burimet dhe aftësitë arsimore të nevojshme për të  promovuar përfshirjen dhe barazinë në arsim, veçanërisht midis grupeve më pak të zhvilluara.
Përveç shumë takimeve me ekspertë dhe autoritete të ndryshëm pjesëmarrës në këtë konferencë, prodekani i FSHI-së zhvilloi takim edhe me kryetarin e Organizatës Ndërkombëtare  “Edukatorët pa Kufij” Dr. Muhammad Al-Obaidli, ku biseduan për projektet përmes të cilave në mënyrë shtesë do të thellohet bashkëpunimi midis dy institucioneve tona.
Gjatë qëndrimit në Abu Dhabi, Doc. Dr. Muaz Agushi, ishte pjesëmarrës edhe në Samitin Global për Gratë me titull “Roli i lidereve femra në ndërtimin e paqes, integrimin social dhe nxitjen e prosperitetit”, e që u organizua nën patronazhin e “Nënës së kombit”.