Në emër të Allahut Gjithëmëshirshmit Mëshirëplotit
“A është i njëjtë ai që e di se ajo që t’u shpall ty nga Zoti yt është e vërtetë, si ai që është i verbër? Vetëm njerëzit e arsyeshëm që kanë mendje të shëndoshë e kuptojnë të vërtetën” (Sure er-Read: 19).
I nderuari Reisul-ulema, H. Sulejman Efendi Rexhepi, Kryetarë i BFI të RMV,
I nderuar dhe shumë i respektuar Ministër i arsimit dhe shkencës z. Arbër Ademi,
Myftinjtë dhe mysafirë të nderuar, zonja dhe zotërinj vëllezër e motra es-Selamu-alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu dhe mirë se keni ardhur në këtë event të rëndësishëm të fillimit të mbarë të vitit akademik 2019/’20.
Të dashur studentë, profesorë dhe punonjës tjerë të FSHI-së në Shkup, uroj të keni një fillim të mbarë të procesit mësimor.
Studentëve të rinj ju dëshiroj shumë suksese në fillimin e studimeve akademike, sepse kjo paraqet kthesën e madhe për jetën tuaj, për të siguruar një të ardhme më të lumtur, për ju, familjet tuaja në hapjen e rrugës drejt integrimeve, si të gjithë popujt dhe vendet e botës së qytetëruar.
Të dashur studentë, në momentin kur keni vendosur të studioni në FSHI, duhet të jeni të bindur se e ardhmja juaj do të jetë më e lumtur. Me sukseset që do të arrini gjatë studimeve, do të përgatiteni profesionalisht që të jeni të aftë t’i përballoni të gjitha sfidat e jetës në të ardhmen. Konkurrenca në këtë fushë të studimeve është globale, ju nuk do t’u konkurroni vetëm studentëve të fakulteteve simotra të Sarajevës, Prishtinës, Tiranës, Novi Pazarit, por do t’u konkurroni miliona studentëve në tregun evropian e botëror.
Të dashur studentë, ka kohë që edhe ne profesorët mësojmë çdo ditë prej jush dhe bashkëmoshatarëve tu, qofshin ata fëmijët tanë, apo të miqve tanë, sepse ju jeni fëmijë të një kohe tjetër, asaj teknologjike dhe të informacionit. Por, duhet të dini se ju jeni njëkohësisht edhe vijim i kohës së përhershme, nga e cila të gjithë kemi nevojë të marrim disa gjëra, që shkolla nuk i ka në kurrikulat e saj – kjo është koha e të kuptuarit të vlerave të përhershme njerëzore, e të kuptuarit të tjetrit, e të kuptuarit të lirisë. P.sh., të dashur studentë, ndër gjërat më të shtrenjta në jetë janë miqësia pa interes dhe dashuria e sinqertë, që, në botën e sotme nuk janë aspak të lehta për t’u arritur. Nuk kanë qenë kurrë të lehta rrugët as për gjyshërit apo prindërit e tu për të kërkuar këto kënaqësi. Por përvoja jonë është vetëm një shtysë për ju, pasi sot, në një botë ku interesi ka mbuluar thuajse gjithçka e sidomos kur dija dhe ndershmëria nuk nënkupton më një rrugë me të cilën njerëzit krenohen, të kërkosh një miqësi dhe një dashuri të tillë është edhe më e vështirë sesa në kohën tonë. Por në këtë udhë të gjetjes së këtyre kënaqësive, ti student i nderuar mos u shkarko kurrë nga përgjegjësia jote edhe nëse nuk i gjen për një kohë të gjatë e nuk do të shkarkojmë as ne, prindërit e tu, nga kjo përgjegjësi, sepse shkarkimi nga përgjegjësia do të të kthejë ty në skllav të dëshirave, do të bëjë që të urresh lirinë tënde për të vendosur.Por një gjë duhet ta dini se jo gjithçka na e mëson shkolla apo profesori, ju duhet të dini se auditorët janë një autostradë ku ne mësohemi se si të ecim me të tjerët, të kuptojmë atë që na thuhet si pjesë e së tërës. E nëse mundesh që lirinë, kurajën, grindjen, faljen dhe ëndërrimin t’i diskutosh edhe me miqtë e tu, në shkollë dhe jashtë shkolle, atëherë ke nisur një rrugë që nuk do jesh kurrë vetëm. Është një rrugë që edhe kur të rrëzohesh, do të kesh mundësi të ngrihesh për të ecur sërish. Ndaj, më lejo edhe një herë të të kujtoj se të shkosh në shkollë, nuk do të thotë edhe se “je bërë Njeri”, siç do të thoshte edhe eruditi islam Imam Gazaliu: “ Njeriu është njeri për shkak të asaj që është me vlerë dhe fisnik, jo për shkak të fuqisë fizike, ngase deveja për nga aspekti fizik është më e fuqishme se njeriu, jo për shkak të ashtit, sepse elefanti është më i fortë, jo për shkak të trimërisë, sepse luani është më trim se njeriu, jo për shkak të ngrënies ngase demi e ka barkun më të gjerë … Njerëzit nuk janë të krijuar për diç tjetër përveç për dituri dhe shkencë”
Lutjet e bëra: Zoti të ruajt, Zoti qoftë me ty!”, janë lutje i dashur student se në këtë gjithë amulli vetëm Zoti mbetet shpresë e madhe për vazhdimësinë. Të dashur studentë, ne të gjithë bashkë kuptohemi, e kuptojmë njëri-tjetrin, sepse kemi humbur trishtueshëm kontrolli ndaj vetes dhe besimin ndaj institucioneve, të cilat duhet të jenë ndihmëse në çdo situatë. Ka humbur dhe humb çdo ditë e më shumë orientimi se cili është drejtimi i duhur, që zgjidh ankthin tënd e tonin të dashur studentë të kudondodhur. Ne sot, hasim në fëmijë të pashkolluar, të cilët duan dhe meritojnë të shkollohen; prindër të papunësuar, ku duan dhe janë të aftë të punojnë; biseda pa asnjë kod të kuptueshëm; gjyshër me fëmijë në emigracion që vetëm presin vdekjen në asgjë. Kjo është panorama e përgjithshme e jetës sonë.
Dikur prindërit tanë bënin sikur punonin dhe shteti bënte sikur i paguante. Sot shteti bën sikur punon dhe mileti bën sikur i beson. Shkollat tona po restaurohen, por arsimi druaj se është në kllapi, i kalbur, i lodhur, i trukuar. Kullat po shtohen, por qyteti po humbet identitet, emocion, ngjyrat, historinë. Rrugët po shtrohen, por Zoti të ruajt të të ecësh në to. Vakti i bukës së përditshëm po shtrenjtohet për ata që ushqehen me të. Kjo është ajo çka prekim e shohim çdo ditë nëpër ekrane e skuta.
Të dashur studentë, të gjithë këtë që e thashë kam për qëllim t’u inkurajojë për gjithçka që na pret. Juve studentë të dashur, ju ftoj që të shkëlqeni në këtë Fakultet, në mënyrë që në të ardhmen të krijoni vendin tuaj në tregun rajonal dhe atë evropian e botëror të studimeve islame, kjo arrihet vetëm duke dalë si student i dalluar në mësim.
Arsimi është fytyra e kombit. Kombet e qytetëruara janë të arsimuara në breza.
Po të kujtojmë thënien e urte, “kush mendon për një vit, mbjell një farë, kush mendon për dhjetë vjet mbjell një pemë dhe kush mendon për 100 vjet arsimon popullin”, na duhet të reflektojmë thellësisht për të krijuar një arsim me fytyrësi fetare e kombëtare shqiptare.
Synimet dhe vizoni i FSHI-se është të rrisë dhe përsosë cilësinë për të prodhuar elita profesionistësh, duke qenë lider në përvetësimin e dijes dhe profesionit në një nivel të lartë cilësor, për të qenë konkurrues të denjë në tregun e punës. FSHI ka si mision t’u ofrojë studentëve dhe shoqërisë një qendër edukimi që intrigon plotësisht tri drejtimet bazë të procesit akademik:
mësimdhënien,
kërkimin shkencor dhe
përgjegjësinë sociale.
“Dituria është më e mirë se pasuria, sepse pasurinë duhet ta ruash ti, ndërsa dituria të ruan ty; pasuria pakësohet me anë të dhënies, ndërsa dituria shtohet me anë të dhënies; dituria është gjykues, ndërsa pasuria e gjykuar; grumbulluesit e pasurisë kanë vdekur, edhe pse janë të gjallë, ndërsa dijetarët janë të gjallë sa të këtë jetë mbi tokë; trupat e tyre janë të humbur, ndërsa gjurmët e tyre në zemrat e njerëzve ekzistojnë”.
Prandaj, kush arrin të prekë dyert e FSHI-se, që janë të hapura për të gjithë ata nxënës që kanë ambicie, prirje dhe objektiva konkrete për t’u bërë dikush në jetë, do provojë se aty janë të gjitha kushtet njerëzore shpirtërore dhe materiale për të shfaqur aftësitë dhe pretendimet e tyre intelektuale. Shpresojmë që viti akademik 2019-2020, në auditorët e FSHI-se do ketë prurje më të shtuara me nxënës nga rrethe të ndryshme të vendit, të cilat do plotësojnë aspiratat dhe synimet e tyre rinore për një fakultet elitar.
Suksesi i juaj student të dashur, është krenaria jonë, një edukim i mirë i hap dyert kudo në botë.
Le të vazhdojmë që përmes arritjeve tona cilësore të kontribuojmë në rritjen e cilësisë në mësim-dhënie dhe në mësim-nxënie.
Shëndet, urime dhe shumë suksese!
Zoti ju bekoftë!