Dekani i FSHI-Shkup Prof. Dr. Shaban Sulejmani me datë 12.05.2021, me rastin e një Vebinari të organizuar nga “Fondacionit Konrad Adenauer” me temë “Religjioni në arsim” – Pse është i rëndësishëm ?, pati fjalë rasti.

Ai pasi përshëndeti këtë takim, shprehi falënderimin e tij “Fondacionit Konrad Adenauer” për kujdesin e vazhdueshëm gjatë viteve që ka në lidhje me arsimin fetar në shkolla. Ai në fjalën e rasti që pati, mes tjerash tha :

“Tema e fesë në arsim, qoftë ajo e përfaqësuar në disa lëndë që diskutojnë fenomenin fetar nga pikëpamja artistike, historike apo sociologjike, apo e përfaqësuar në formën e një lënde të veçantë, siç është etika e religjioneve në vendin tonë, është i pranishëm në pothuajse të gjitha vendet evropiane. Arsyeja e pranisë së studimit të religjioneve në fushën e  arsimit, motivohet ndër të tjera nga nevoja për dialog në shoqëritë multikonfesionale, si dhe nga nevoja për të forcuar dhe ruajtur vlerat shpirtërore dhe morale.

Feja është ngulitur thellë në kujtesën kolektive – me gjithë sfidat, në gjykimin tim, të një sekularizmi ekstrem – dhe luan një rol të madh në jetën familjare, duke promovuar të drejtën e prindërve për të edukuar fëmijët e tyre në përputhje me ato vlera familjare që kanë një dimension mbizotërues atë moral.

Procesi i të drejtave individuale që ka kapluar shoqëritë moderne, e cila sot është e ndryshe nga shoqëritë e pesëdhjetë viteve më parë kur ato ishin homogjene. Sot kur ka lëvizje të mëdha dhe përzierje të anëtarëve të traditave të ndryshme fetare në disa vende evropiane, e që kjo ngre domosdoshmërisht çështjen e së drejtës për arsimim religjioz, që fëmijët e tyre të mësojnë për traditën e tyre fetare dhe vlerat e saja.

Megjithatë, theks i veçantë duhet t’i kushtohet faktit se multi-religjioziteti në vendet e Ballkanit është shumë më i thellë se ai në vendet e Evropës Perëndimore.

Ne ende e kemi të freskët edukimin fetar, madje edhe në sistemin komunist në vendin tonë, kur ai zhvillohej paralelisht me arsimin laik, e kjo nuk shkaktonte ndonjë problem shoqërorë. Prandaj, nëse në atë kohë nuk ka shkaktuar ndonjë problem në shoqëri, nuk ka asnjë arsye për të besuar se arsimi religjioz mund të ketë një rol dëmtues në shoqëri nëse ai është i pranishëm në sistemet arsimore publike e shtetërore.

Krizat me të cilat përballet jeta moderne nuk janë vetëm të natyrës ekonomike dhe shëndetësore por edhe të natyrës shpirtërore dhe morale. Rënia e vlerave shpirtërore të shkaktuara nga zhvillimi modern, inkurajon strukturat arsimore të rimendojnë qëndrimin e tyre ndaj vlerave tradicionale që lidhen me moralin dhe dinjitetin njerëzor. Edukimi religjioz duhet të ndahet nga ndikimet politike të cilat, jo rrallë, e abuzojnë atë për qëllimet e interesat e tyre të taregtuara. Qëllimi i fesë është të forcojë vetëdijen për obligime ndaj tjetrit, jo vetëdijen për interes nga tjetri, siç është rasti me politikën. Prania e religjionit në sferën e arsimit publike nuk nënkupton ndërhyrje në jetën politike. Bashkësitë fetare mund të luajnë një rol kryesor këtu tek ne. Në vend që të kapemi pas paradigmave ose vlerave tradicionale, ata duhet të jenë më të përkushtuar ndaj iniciativave të reja në procesin arsimor, dhe për hirë të së vërtetës realisht na mungojnë iniciativa të tilla.

Njohuritë dhe arsimi modern, megjithëse gjithmonë i ri, nuk mund të çojë në zgjidhje për të gjitha problemet. Shpesh problemet shtohe, në vend që t’i zgjidhë ato ose të ofrohen perspektiva. Në fakt, nuk mund të depërtojë ose kontrollojë nevojat shpirtërore ose morale të qenies njerëzore, që ka të drejtë – sipas të gjitha Deklaratave evropiane të të drejtave të njeriut filluar nga vitet 1950 e tutje – të kërkojë të edukojë fëmijët e tij në përputhje me Ligjin për familjen. Në fakt, pohimi i vlerave shpirtërore është qëllimi i edukimit fetar, jo i jetës politike.

Edukimi religjioz si një lëndë e veçantë në shkolla nuk nënkupton një formë të veçantë të arsimit, por është një pjesë integrale e arsimit në përgjithësi. Nuk mund të ketë një formë të veçantë sepse arsimimi religjioz merr parasysh aspektin humanist të fesë. Nëse shtrohet pyetja pse religjioni në arsim, mund të përgjigjemi lirisht se feja nuk mund të shihet e veçuar nga formacionet e tjera të shpirtit sepse ajo, siç tregon realiteti historik, është platforma e të gjitha atyre formacioneve nga të cilat ato lindin.

Pasqyra racionale e botës dhe përparimi që rezultoi prej saj, nuk i zgjidhi problemet e njeriut. Feja mbase nuk mund t’i zgjidhë plotësisht, megjithatë mund të kontribuojë shumë në fushën e zgjidhjes së problemeve.

Feja ka mundësinë, dhe posaçërisht përmes edukimit, të ofrojë një dimension moral dhe humanist për çdo aspekt të jetës qoftë ai politik, ekonomik apo kulturor, sepse është një thesar i pashtershëm, kështu që ka arritur të kapërcejë të gjitha tundimet dhe të mbajë të tilla, pikërisht për shkak të rëndësisë së madhe që ka, për ata që marrin pjesë në strukturën e tij morale dhe humaniste”.