Stamboll, 26–28 tetor 2026 – Me iniciativën e rektorit të Universitetit Islamik Botëror në Stamboll, Prof. Dr. Mehmet Görmez, u zhvillua Takimi Konsultativ i Dekanëve të Fakulteteve të Studimeve Islame nga vendet e Ballkanit, me synim forcimin e bashkëpunimit akademik dhe institucional ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse.
Takimi u hap në një ceremoni solemne, gjatë së cilës organizatorët mirëpritën delegacionet pjesëmarrëse dhe falënderuan të ftuarit për praninë e tyre, duke theksuar rëndësinë e dialogut, shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë islam.
Në këtë takim mori pjesë dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, i shoqëruar nga Prof. Dr. Abas Jahja.
Gjatë kumtesës së tij, dekani Nesimi prezantoi historikun dhe veprimtarinë e Fakultetit, programet studimore, angazhimin e stafit akademik në procesin mësimor dhe kërkimor, si dhe pjesëmarrjen e profesorëve në konferenca shkencore, simpoziume dhe publikime akademike. Ai theksoi gjithashtu rolin dhe mbështetjen e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në zhvillimin e veprimtarisë akademike të Fakultetit.
Duke vënë në pah perspektivat e zhvillimit të mëtejshëm akademik, dekani i FSHI-së propozoi themelimin e një programi të përbashkët të doktoraturës (Joint PhD Program) në bashkëpunim me Universitetin Islamik Botëror në Stamboll. Propozimi u mirëprit nga organizatorët si një mundësi për thellimin e bashkëpunimit shkencor dhe përgatitjen e kuadrove të reja akademike.
Një nga rezultatet e rëndësishme të takimit ishte edhe nënshkrimi i Memorandumit të Përbashkët të Bashkëpunimit, i cili synon forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim akademik e shkencor.
Konkluzionet dhe perspektivat e bashkëpunimit
Në përfundim të takimit, u theksuan disa drejtime konkrete për zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse:
•Formimi i një komisioni të përbashkët, me nga një përfaqësues prej secilit fakultet, për koordinimin dhe realizimin e nismave të bashkëpunimit.
•Shkëmbimi i profesorëve dhe studentëve, me synim forcimin e mobilitetit akademik dhe shkëmbimin e përvojave.
•Zhvillimi i programeve të përbashkëta studimore, veçanërisht në nivelin e doktoraturës, si dhe shqyrtimi i mundësive për studime pasdoktorature.
•Intensifikimi i bashkëpunimit shkencor, përmes konferencave, simpoziumeve, publikimeve dhe projekteve të përbashkëta kërkimore.
Pjesëmarrja e Fakultetit të Shkencave Islame në këtë takim përbën një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, avancimit të programeve studimore dhe krijimit të perspektivave të reja për zhvillimin e kërkimit shkencor në fushën e studimeve islame.
Takimi në Stamboll dëshmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike islame të Ballkanit dhe vullnetin për të ndërtuar ura të qëndrueshme komunikimi, shkëmbimi dhe zhvillimi të përbashkët akademik.







