Sot në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, para komisionit në përbërje: Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi kryetar dhe Prof. Dr. Ismet Osmani, anëtar, nën mentorimin e Prof. Dr. Shaban Sulejmanit, imami i xhamisë së mesme në fshatin Çegran të Gostivarit, Latif Ameti, mbrojti me sukses tezën e magjistraturës me titull: “Ritet e dasmës në përqasje me të drejtën e sheriatit në rrethin e Gostivarit”, dhe e mori titullin magjistër i shkencave islame. Punimi i magjistraturës “Ritet e dasmës në përqasje me të drejtën e sheriatit në rrethin e Gostivarit”, është një përpjekje për të pasqyruar në mënyrë përmbledhëse ritet e dasmës në përqasje me të drejtën e sheriatit islam si një fushë e rëndësishme studimore, si dhe karakteristikat kulturore e tradicionale të gërshetuara me elemente fetare. Kandidati Latif Ameti, vë në spikamë se populli ka zhvilluar një jetë të pasur shpirtërore, ku në mënyrë të qartë ka ditur ta paraqes dhe përfytyroj artistikisht, estetikisht edhe në përputhje me traditat dhe fenë islame. Pa dyshim që kjo temë e magjistraturës paraqet një kontribut për zbardhjen e një pjese të riteve të dasmës shqiptare të kësaj ane në përqasje me sheriatin islam.
Me këtë rast, dekani i FSHI-së, Prof. Dr. Shaban Sulejmani, uroi që FSHI të vazhdojë me regjistrimin e studentëve në ciklin e dytë të studimeve. Ai theksoi se FSHI, punon edhe në akreditimin e studimeve të ciklit të tretë (studimeve të doktoraturës).
Ndërkaq, Reisul-ulema i BFI-së, h. Shaqir Fetahu, uroj kandidatin, imamin Latif Ameti, si student i parë që u magjistrua në FSHI, por mbi të gjitha uroi FSHI-në si institucion i lartë i studimeve islame në RMV për punën që bën në promovimin e kuadrit fetar në RMV dhe më gjerë.