Konferencë shkencore për rolin e Islamit në mbrojtjen e identitetit shqiptar në Maqedoni
Shkup, 13.06.2019 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u organizua konferenca shkencore me titull “Roli i Islamit në mbrojtjen e identitetit shqiptar në Maqedoni”, kjo në bashkorganizim me Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup.
Në fillim të konferencës fjalë rasti mbajti drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i cili tha se: “Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, si një vatër që kujdeset për krejt trashëgiminë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përveç shumë aktiviteteve të ndryshme që ka realizuar me institucione shkencore e arsimore, por edhe me komunitete të ndryshme fetare, duke u kujdesur edhe për grupet më të vogla shoqërore, gjithnjë ka synuar që të organizojë diçka edhe komunitetin më të madh të përkatësisë religjioze të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, pra me elementin mysliman. Për këtë arsye, përveç marrëdhënieve të mira e miqësore që i kemi kultivuar me institucionin e Bashkësisë Fetare Islame, ne tashmë kemi vendosur bashkëpunim formal edhe me Fakultetin e Shkencave Islame, si institucioni më i lartë arsimor e shkencor i këtij komuniteti dhe në sajë të këtij protokolli, ne sot jemi në këtë konferencë.”Ai foli edhe për arsyet e organizimit të konferencës, si dhe për qëndrueshmërinë shkencore të këtij aktiviteti shkencor.
Pas tij të pranishëmve iu drejtua dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Prof. Dr. Shaban Sulejmani, i cili u shpreh se: “Kjo konferencë sot ku marrin pjesë studiues të shquar të fushave të ndryshme do të promovojë dhe shpalos fakte historike e dokumente për të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar, por edhe një shtytje që të njohim të ardhmen. Megjithatë, një të ardhme, që fillon nga e kaluara jonë e lavdishme. Kushti është ta duam të kaluarën ashtu siç është, pa mbetur në qerthullin e pyetjeve të brezave të shkuar.”
Në këtë hapje ishte i pranishëm edhe kreu i Bashkësisë fetare Islame të Maqedonisë, Reis ul-Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, i cili e përgëzoi punën e kësaj konference dhe tha se ajo ka hapur një shteg tjetër të rëndësishëm të studimeve të historisë shqiptare dhe njohjes së kontributit të myslimanëve shqiptarë në çështjen shqiptare në Maqedoni, por jo vetëm.