Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, e cila u mbajt më 11 korrik 2025 në Potoçari, Bosnjë dhe Hercegovinë. Pjesëmarrja e Dekanit në këtë ngjarje përfaqëson një akt solidariteti dhe respekti për viktimat e këtij krimi të rëndë kundër njerëzimit.

Udhëheqësi i delegacionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis ul-Ulema H. hfz. Shaqir ef. Fetahi, në prononcimin e tij shprehu nderimet më të larta për të gjithë të rënët dhe për familjet e tyre, duke theksuar rëndësinë e kujtesës kolektive dhe angazhimin për drejtësi, paqe dhe mos përsëritjen e krimeve të tilla në të ardhmen.

Gjatë qëndrimit në Bosnjë dhe Hercegovinë, delegacioni u prit në një takim zyrtar nga Reis ul-Ulema i Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës, H. Husein ef. Kavazoviq, i cili falënderoi përfaqësuesit e Fakultetit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj çështjes së drejtësisë dhe kujtesës kolektive për viktimat e gjenocidit.

Ceremonia mblodhi përfaqësues të institucioneve akademike, fetare dhe politike nga e gjithë bota, të cilët së bashku kujtuan dhimbjen e Srebrenicës dhe dërguan një mesazh të fuqishëm për kujtesë historike dhe përgjegjësi njerëzore.