Në kuadër të aktiviteteve informuese dhe ditëve të hapura të Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup, u realizua një vizitë nga maturantet e Medresesë së Vajzave “Isa Beu” – Gostivar. Kjo vizitë kishte për qëllim njohjen nga afër me sistemin edukativo-arsimor të Fakultetit, ambientet akademike, si dhe mundësitë që ofron institucioni për studime të avancuara në fushën e shkencave islame.
Maturantet ishin të shoqëruara nga Myftiu i Gostivarit, H. Sabahudin ef. Zendeli, koordinatori i medresesë, Prof. Afrim Alija, si dhe disa profesoresha të kësaj shkolle. Ato u pritën ngrohtësisht nga Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, së bashku me stafin akademik dhe administrativ.
Në fjalimin e tij përshëndetës, Dekani falënderoi për këtë vizitë domethënëse dhe motivoi maturantet që ta konsiderojnë Fakultetin e Shkencave Islame si destinacionin e tyre të ardhshëm për studime. Ai theksoi përparësitë e institucionit, si programet akademike cilësore, përkushtimi i stafit, infrastruktura bashkëkohore dhe ambienti serioz akademik. Njëkohësisht, Dekani vuri në dukje se ish-studentët e këtij Fakulteti kanë arritur suksese të larta, jo vetëm në botën akademike, por edhe në fusha të tjera shoqërore, institucionale dhe fetare, brenda dhe jashtë vendit.
Pas Dekanit, fjalën e mori Myftiu i Gostivarit, H. Sabahudin ef. Zendeli, i cili përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi Fakultetin për mikpritjen. Ai theksoi rëndësinë që ka orientimi i drejtë arsimor dhe fetar i vajzave të reja, dhe vlerësoi Fakultetin e Shkencave Islame si një ndër adresat më të rëndësishme për zhvillimin e dijes dhe vlerave Islame në vendin tonë.
Nga ana tjetër, edhe koordinatori i medresesë, Prof. Afrim Alija, shprehu falënderime për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë që ka vazhdimi i edukimit në një institucion serioz dhe të përkushtuar siç është Fakulteti i Shkencave Islame.
Në vijim, maturantet patën mundësinë të vizitojnë ambientet e Fakultetit, si sallat e ligjëratave, bibliotekën, hapësirat administrative dhe të informohen më në detaje rreth kushteve të regjistrimit dhe vijimit të studimeve.
Vizita u përmbyll në një atmosferë të ngrohtë dhe motivuese, duke forcuar lidhjet ndërinstitucionale dhe duke hapur horizonte të reja për të ardhmen akademike të maturanteve.