Në kuadër të nxitjes së bashkëpunimit akademik dhe kulturor ndërmjet institucioneve arsimore të rajonit, më 24 shtator 2025, Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup mirëpriti një delegacion studentësh nga Fakulteti i Studimeve Islame në Sarajevë, i udhëhequr nga profesori Sejid Strika.
Delegacioni u prit nga dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, i cili, në prani të stafit akademik, i përshëndeti mysafirët dhe prezantoi historikun e zhvillimit të Fakultetit të Shkencave Islame, programet studimore që ofrohen, si dhe veprimtaritë kërkimore dhe shkencore që zhvillohen në kuadër të tij.
Gjatë takimit u shkëmbyen përvoja të rëndësishme akademike dhe u diskutua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit të ardhshëm në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Palët shprehën interesim të ndërsjellë për realizimin e projekteve të përbashkëta, organizimin e vizitave studimore dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore.
Kjo vizitë përbën një dëshmi të përkushtimit të Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup për të zgjeruar rrjetin e partneriteteve institucionale dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi me institucione simotra në rajon dhe më gjerë, në funksion të avancimit të dijes dhe përgatitjes së kuadrove të reja akademike.