Sot, maturantet e Medresesë Isa Beu – paraleles së shtrirë të Vajzave në Shkup, të udhëhequra nga Drejtori i Përgjithshëm, Dr. Islam Islami, Koordinatorja e Medresesë dhe profesoreshat e Kur’anit dhe Gjuhës Turke, realizuan një vizitë në Fakultetin e Shkencave Islame për të uruar Dekanin e ri, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, dhe për t’u njohur më nga afër me mundësitë që ofron ky institucion për studimet e larta.
Në pritje të delegacionit ishte Prodekani, Prof. Dr. Ziber Lata, së bashku me Sekretarin, Mr. Neim Misimi, përgjegjësin për çështje administrative, Sulejman Idrizi, dhe referenten, Lejla Zekir. Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku fillimisht delegacioni e përgëzoi Dekanin për detyrën e re, duke i uruar suksese në misionin e tij për zhvillimin e Fakultetit dhe për edukimin e gjeneratave të reja.
Nga ana e tij, Dekani, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, shprehu mirënjohjen e tij për vizitën dhe vlerësoi lart rolin e Medresesë në përgatitjen e nxënëseve, të cilat vazhdojnë studimet në Fakultetin e Shkencave Islame. Ai theksoi se shumë prej ish-nxënëseve të Medresesë kanë arritur sukses të lartë akademik dhe profesional, duke dëshmuar nivel të lartë përgatitjeje dhe përkushtimi.
Në fjalën e tij motivuese drejtuar maturanteve, Dekani i inkurajoi që të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të vazhdojnë rrugëtimin e dijes me përkushtim dhe pasion. Ai theksoi rëndësinë e arsimimit në frymën e vlerave islame dhe akademike, duke i siguruar se Fakulteti i Shkencave Islame do të jetë gjithmonë një derë e hapur për to.
Edhe Drejtori i Përgjithshëm, Dr. Islam Islami, u adresua maturanteve me fjalë inkurajuese, duke i nxitur që të përfitojnë nga mundësitë që ofron Fakulteti dhe të vazhdojnë të ndjekin rrugën e dijes me përkushtim dhe devotshmëri.
Në përfundim të vizitës, si shenjë mirënjohjeje dhe respekti, u bë shkëmbimi i dhuratave mes institucioneve. Kjo vizitë shërbeu si një urë lidhëse mes Medresesë dhe Fakultetit të Shkencave Islame, duke forcuar bashkëpunimin dhe mbështetjen e ndërsjellë për edukimin dhe zhvillimin akademik të të rinjve.
Pas kësaj vizite të frytshme, patëm nderin të presim në një vizitë urimi edhe ish-profesorin tonë të nderuar, Nasir Husein, së bashku me Imamin e fshatit Vrapçisht, Vullnet Bajrami. Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, ku u ndanë kujtime dhe vlerësime për kontributin e Profesorit Nasir në edukimin e shumë gjeneratave.