Më 24.07.2025 u mbajt mbledhja e 66-të e rregullt e Këshillit Mësimor-Shkencor (KMSh) të Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup. Mbledhja u zhvillua në ambientet e fakultetit dhe u drejtua nga Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi.
Kryesuesi i KMSh-së, pasi falënderoi Allahun e Gjithëfuqishëm dhe përshëndeti Muhamedin (a.s.) dhe pasuesit e tij, përshëndeti gjithashtu stafin akademik. Ai informoi të pranishmit se Reis ul-Ulema, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, nuk kishte mundësi të merrte pjesë në mbledhje për shkak të agjendës së ngjeshur, duke përcjellë uratat e tij në lidhje me përfundimin e vitit akademik 2024/2025.
Në vijim, Kryetari i Këshillit kërkoi nga përfaqësuesi i Unionit të Studentëve që të lexonte një pjesë nga Kur’ani Famëlartë.
Në këtë mbledhje u diskutuan dhe u miratuan pikat e mëposhtme të rendit të ditës:
-
Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar;
-
Zgjedhja e anëtarëve të komisionit për recenzentë për titullin mësimor-shkencor në lëndën e Akaidit dhe Historisë Islame;
-
Propozimi i rregullores për masa disiplinore;
-
Përzgjedhja e anëtarëve të komisioneve të përhershme;
-
Informim nga Dekani lidhur me inspektimin e Inspektoratit Shtetëror pas një ankese anonime;
-
Shpallja e pushimit kolektiv për stafin akademik dhe administrativ.
Mbledhja u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe me përkushtim të lartë për mbarëvajtjen institucionale dhe ngritjen akademike të Fakultetit.
Në fund, Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, shpalli të përmbyllur vitin akademik 2024/2025. Gjatë këtij viti, siç potencoi dekani, Fakulteti ka zhvilluar me përkushtim procesin mësimor dhe veprimtarinë shkencore, duke realizuar me sukses planin dhe programin akademik.
Gjatë vitit që lamë pas, janë organizuar një sërë aktivitetesh akademike dhe kulturore, përfshirë ligjërata tematike, vizita studimore dhe bashkëpunime me institucione vendore dhe ndërkombëtare. Po ashtu, janë bërë përmirësime në aspektin administrativ dhe organizativ të institucionit.
Falënderojmë stafin akademik dhe administrativ për angazhimin e vazhdueshëm, si dhe studentët për përkushtimin e tyre në ndjekjen e mësimeve dhe në përfaqësimin dinjitoz të Fakultetit.
Urojmë të gjithë studentëve pushime të mbara dhe suksese në të gjitha fazat e ardhshme të formimit të tyre akademik dhe profesional.