Më datë 28.07.2025, Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup pati nderin të presë një delegacion të Këshillave të Xhamive të Gjermanisë, kryetarin e Qendrës Islame Shqiptare “El Furkan” në Mynih, z. Afet Rushiti, si dhe anëtarin haxhi Vexhi Abduli. Mysafirët u shoqëruan nga Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), z. Irsal ef. Jakupi, dhe Myftiu i Myftinisë së Gostivarit, z. Sebahudin ef. Zendeli.
Qëllimi i vizitës ishte forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve fetare dhe arsimore, shkëmbimi i përvojave në fushën e edukimit islam dhe ruajtja e identitetit fetar dhe kulturor të diasporës shqiptare në Evropë.
Delegacioni u prit nga dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, së bashku me stafin akademik, të cilët prezantuan historikun, misionin dhe programet studimore të institucionit.
Palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim në fusha të ndryshme, si dhe për mbështetje ndaj studentëve shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani.
Kjo vizitë e përforcon më tej rolin e Fakultetit të Shkencave Islame si një qendër referimi për çështje fetare, kulturore dhe arsimore, si brenda vendit, ashtu edhe në diasporë.