“Po All-llahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët” (Fatir : ajeti 28)
Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve, që na mundësoi të arrijmë këtë ditë kaq të rëndësishme. Paqja dhe bekimi qofshin mbi Profetin Muhamed, modelin tonë më të mirë në dije, durim dhe moral. Përcjellim përshëndetje, shokëve të tij, familjen e tij të respektuar dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Inderuar Reis ul Ulema i BFI-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, H.hfz. Shaqir ef. Fetahi,
I nderuar Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar anëtar të Riasetit të BFI-së,
I nderuar Myfti i Muftinis së Tetovës, Dr. Selver Xhemaili, bashkë më shoqëruesit tuaj,
I nderuar Myfti i Myftinisë së Gostivarit,H. Sabahudin ef. Zendeli, bashkë me shoqëruesit tuaj,
I nderuar Myfti i Manastirit, H. Amit ef. Rasimi,
I nderuar Rektor i Universitetit të Tetovës, Prof.Dr. Jusuf Zejneli,
I nderuar Rektor i Universitetiti Nënë Tereza, Prof.dr. Bekim Fetaji,
I nderuar Rektor i Universitetit Ballkanik Prof.dr. Lutfi Sunar,
I nderuar Rektor i Universitetiti Vizion Prof.dr. Ahmet Vexhdi Xhan së bashku me Prorektorin Prof.dr. Mensur Nuretin,
I nderuar Dekan i Fakultetit të Teologjisë Ortodokse “ Shën Kliment Ohrit”, Prof.dr. Dejan Borisov
I nderuar Drejtor i Medreses Isa Bek , Dr Islam Islami , bashkë me Kordinatorët dhe stafin e tij,
l nderuar drejtorë pran Rijasetit të BFI-së,
I nderuar Prodekan, Staf Akademik, Administrativ,
I nderuar Kryetar i Unionit të Studentëve,
Përfaqësues të mediave, Familjarë, prindër të studentëve dhe ju Absolvend të dashur,
Më lejoni që në fillim t’u përshëndes me përshëndetjen Islame:
“Es-Selamu alejkum ve rametull-Allahi ve berekatuhu”
Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur në këtë mbrëmje kaq të veçantë për të gjithë ne!
Sot jemi këtu për të festuar një arritje të rëndësishme – përfundimin e një cikli akademik dhe fillimin e një kapitulli të ri në jetën e këtyre të rinjve e të rejave që për vite me radhë kanë qenë pjesë e institucionit tonë. Kjo nuk është thjesht një festë, por një pikë reflektimi dhe falënderimi.
Të dashur absolventë,
Në cilësinë e dekanit të Fakultetit të Shkencave Islame, është nder i veçantë për mua që sonte, në emër të të gjithë stafit akademik dhe administrativ, t’ju përgëzoj për përkushtimin, punën e palodhur dhe këmbënguljen që keni treguar gjatë viteve të studimeve.
Ju jeni fryt i një pune të përbashkët – i përpjekjeve tuaja personale, i mbështetjes së familjeve tuaja, i mësimdhënësve që ju kanë udhëhequr me përkushtim në rrugën e dijes dhe BFI-së e cila me largpamësi, përkushtim dhe dashuri për dije vuri themelet e këtij institucioni që sot është bërë vatër e dijes.
Ky është momenti kur krenaria jonë si institucion shfaqet në mënyrën më të bukur: përmes suksesit tuaj. Ju tashmë jeni gati të përballeni me sfidat e jetës profesionale dhe shoqërore, të kontribuoni në zhvillimin e vendit tonë dhe të mbani lart vlerat që keni kultivuar brenda ndërtesës së Fakultetit të Shkencave Islame.
Të dashur absolventë,
Pas viteve të përkushtimit, mundit dhe kërkimit të dijes islame dhe shkencore, sonte qëndroni përballë nesh jo vetëm si studentë të diplomuar, por si bartës të një përgjegjësie të madhe: përgjegjësisë për ta përçuar dijen me urtësi, për të qenë shembull në shoqëri, dhe për ta jetësuar Islamin me moral, maturi dhe devotshmëri.
Dija që keni marrë në këtë fakultet nuk është thjesht një përgatitje profesionale – ajo është një amanet, një dhunti që duhet ta ruani, ta përmirësoni dhe ta vëni në shërbim të umetit dhe të së mirës së përbashkët.
Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush ndjek një rrugë për të kërkuar dije, Allahu ia lehtëson atij rrugën për në xhenet.”
Ju tashmë e keni ndjekur këtë rrugë – dhe ne lutemi që Allahu t’jua pranojë përpjekjet, t’jua begatojë dijen dhe t’ju udhëzojë drejt të mirës në çdo hap të jetës.
Të dashur absolventë,
më kujtohet dita kur shumë prej jush hynë për herë të parë në këtë fakultet me sy që shkëlqenin nga ëndrrat, me pak pasiguri por me shumë shpresë. Sot, ju largoheni me dije, me përvojë dhe me një karakter që është formësuar jo vetëm nga librat, por edhe nga jeta studentore, nga sfidat që keni kaluar dhe nga njerëzit që keni njohur.
Ju keni ndjekur një rrugë të veçantë: rrugën e dijes që buron nga Kur’ani dhe Suneti, dijes që kërkon zemër të pastër, mendje të kthjellët dhe përkushtim të thellë.
Pas një rrugëtimi të përkushtuar në kërkim të dijes, sot qëndroni këtu si të diplomuar në një fushë që kërkon jo vetëm mendje të ndritur, por edhe zemër të përulur në Shkencat Islame.
Ju bartni përgjegjësi të madhe: amanetin për të qenë zë i së vërtetës, përhapës të dijes së dobishme, mbrojtës të parimeve islame , urë-lidhës mes dijes fetare dhe realitetit të shoqërisë sonë bashkëkohore. Zoti i Lartësuar në Kur’an thotë:
يَرْفَعِ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنكُمْ وَالَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ دَرَجَاتٍ
“Allahu i ngre në shkallë të larta ata që besojnë prej jush dhe ata që janë dhënë pas dijes.” (El-Muxhadele, 11)
Ky ajet është dëshmi se rruga e dijes është rrugë nderi, dhe se ju sot jeni ndër ata që Zoti i ka veçuar me një dhunti të veçantë.
Diplomën që do të mbani në dorë, nuk është thjesht një copë letër por është fryt i mundit tuaj, megjithatë, ajo mbart përgjegjësi.
Ajo ju fton që dijen ta ktheni në vepër, në shërbim të së mirës, të drejtës dhe të së vërtetës. Tregohuni të ndershëm në profesionet që do të ushtroni dhe mos harroni se çdo dije pa moral është e mangët.
Diploma përfaqëson sakrificat e familjeve tuaja, përkushtimin e profesorëve tuaj, dhe vendosmërinë tuaj personale për të mos u dorëzuar kurrë. Ajo është simboli i një përgatitjeje që nuk mbaron sot, por vazhdon gjatë gjithë jetës.
Në këtë kontekst, dua të kujtoj edhe fjalët e dijetarit të madh, Imam al Gazaliut, i cili thotë: “Dija pa veprim është çmenduri, dhe veprimi pa dije është humbje.”
Prandaj, le të mos jetë diploma thjesht një dokument, por një obligim i gjallë që ju nxit të jetoni me dije, të veproni me urtësi dhe të udhëhiqni me drejtësi.
Me krenari kujtojë ish-studentët të cilët sonte i shoh para meje të reshtuar të cilët bartin mbi supe përgjegjësi si: profesor e profesoresha, sekretar, myfti, drejtor, studiues, imam, ligjërues e njerëz të dijes e të veprave të mëdha në vend dhe diasporë, të cilët vazhduan të përçojnë vlerat dhe idealet e kultivuara në këtë institucion.
Ata janë dëshmi e gjallë e punës së shkëlqyer që ky fakultet ka bërë ndër vite dhe pasqyra më e mirë e vlerave akademike e shoqërore të fakultetit.
Mos harroni, e vërteta dhe dija nuk janë thjesht mjete për sukses profesional – ato janë edhe mënyra për t’iu afruar Allahut dhe për të përmirësuar botën rreth jush.
Allahu i Lartësuar në Kur’an thotë: “Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” (Zumer : 9)
Të dashur absolventë,
Fakulteti ka qenë shtëpia juaj për këto vite! Sado larg të shkoni, ju gjithmonë do të mbeteni pjesë e kësaj familje akademike.
Dera jonë do të jetë gjithmonë e hapur për ju, për ide, bashkëpunim, kërkime dhe përkrahje. Lidhja që keni krijuar me këtë institucion është më shumë se akademike – është shpirtërore dhe vëllazërore.
Ju jeni brezi i ri i dijetarëve, imamëve, mësuesve, hulumtuesve dhe udhëheqësve shpirtërorë të shoqërisë sonë. Keni kaluar vite me Kur’anin, me Sunetin, me tefsirin, fikhun, akiden, historinë islame dhe mendimin filozofik islam. Keni mësuar jo vetëm tekstin, por edhe përgjegjësinë e dijes.
Ju keni përballuar sfida akademike dhe shpirtërore, keni diskutuar me guxim dhe keni studiuar me sinqeritet. Për këtë, ju falënderoj dhe ju përgëzoj nga zemra.
Ju kujtojë porsoninë e Profetit alejhis-selam që ka thënë: “Allahu i lartëson me këtë libër (Kur’anin) disa njerëz, dhe i ul të tjerët.”
Le të jeni ju nga ata që Zoti i lartëson përmes dijes, përmes përulësisë, përmes shërbimit të sinqertë ndaj njerëzve.
Kudo që të shkoni pas diplomimit – në xhami, në shkolla, në institucione, apo në fusha akademike – ruajeni dritën e sinqeritetit dhe udhëzimin që keni marrë këtu. Sepse vërtet, Fakulteti i shkencave islame nuk mëson vetëm për të ditur, por mëson për të jetuar me vlera.
Të nderuar prindër, Suksesi i sotëm është edhe suksesi juaj. Ju falënderojmë për durimin, mbështetjen dhe duatë tuaja të çmuara.
Të respektuar kolegë, falë përkushtimit tuaj profesional dhe shpirtëror, këta të rinj janë sot të gatshëm për të qenë bartës të vërtetës, edukatorë të brezave të rinj dhe shërbyes të denjë të fesë dhe shoqërisë.
Në këtë mbrëmje solemne, dëshiroj të shpreh gjithashtu mirënjohje dhe urime më të sinqerta për Kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame, H.hfz. Shaqir ef Fetahi i cili me vizionin dhe përkushtimin e tij ka qenë gjithmonë përkrah gjeneratave të reja të dijes.
Kontributi i tij i pandërprerë për fuqizimin e arsimit islam, për mbështetjen e studentëve dhe për ngritjen e institucioneve tona arsimore është i paçmuar.
Zoti e shpërbleftë për përkrahjen e dijes dhe e begatoftë në udhëheqje dhe shërbim ndaj fesë, popullit dhe vendit.
Të dashur absolventë,
Le të jetë kjo mbrëmje kujtim i gëzueshëm dhe një shtytje për të ecur më tutje me besim, përulësi dhe vizion të qartë.
Ju përgëzoj dhe ju uroj që Allahu t’ju hapë dyert e hajrit, të dijes së dobishme dhe të suksesit në këtë botë dhe në botën tjetër.
Urime dhe gëzuar mbrëmjen tuaj të abselveniadës!
Ves-Selamu alejkum!
Prof.dr. Abdulxhemil NESIMI,
Dekan i Fakultetit të Shkencave Islame-Shkup
Me datë: 23.06.2025