Më 28 janar 2025, Fakulteti i Shkencave Islame pati kënaqësinë të mirëpresë Drejtorin e Medresesë “Isa Beu”, Dr. Islam Islamin, së bashku me delegacionin e nderuar të profesorëve të këtij institucioni të shquar.
Delegacioni u prit ngrohtësisht nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, i shoqëruar nga Prodekanin Prof. Dr. Ziber Lata, Prof. Dr. Jusuf Mustafai, Prof. Sulejman Idrizi, Sekretari Mr. Neim Misimi dhe Z. Nesip Demiri.
Gjatë vizitës, delegacioni përcolli urimet më të përzemërta për Dekanin e ri, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes dy institucioneve në shërbim të edukimit dhe formimit profesional të brezave të rinj.
Në fjalën e tij, Dekani shprehu falënderimet më të sinqerta për Drejtorin dhe profesorët e Medresesë “Isa Beu” për këtë vizitë të veçantë dhe për urimet e tyre. Si shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi, takimi përfundoi me shkëmbimin e dhuratave simbolike, duke vulosur kështu edhe më tej lidhjen e ngushtë mes këtyre dy institucioneve të rëndësishme të Bashkësisë Fetare Islame në RMV.