Në kuadër të ceremonisë solemne të organizuar me rastin e shënimit të 20-vjetorit të OEMVP – Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore Reis-ul-Ulema i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, u nderua me dekoratë mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar në promovimin e vlerave të dialogut, harmonisë shoqërore dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Ky vlerësim përbën një dëshmi të respektit institucional ndaj rolit dhe angazhimit të tij në afirmimin e vlerave universale, forcimin e kohezionit shoqëror dhe kultivimin e kulturës së mirëkuptimit e bashkëpunimit në vend. Në këtë ceremoni solemne mori pjesë edhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, i shoqëruar nga profesorë të Fakultetit, duke dëshmuar kështu përkushtimin e institucionit ndaj bashkëpunimit me faktorët relevantë të jetës akademike, fetare dhe shoqërore. Ceremonia mblodhi personalitete të shquara nga jeta publike, akademike, ekonomike dhe fetare, duke shënuar një jubile të rëndësishëm në historinë e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe kontributin e saj në zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit.