Es-SELAM ALEJKUM

يَرْفَعِ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنكُمْ وَالَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ دَرَجَاتٍ ۚ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ

ALLAHU I LARTËSON ATA QË BESOJNË PREJ JUSH DHE ATA QË JANË PAJISUR ME DITURI NË SHKALLË MË TË LARTA. ALLAHU ËSHTË I DIJSHËM PËR ATË QË PUNONI” (EL-MUXHADELE, 11)

 

Te nderuar profesorë, të respektuar, të dashur e shum të shtrejtë student

dhe gjith Ju të nderuar të pranishëm

Qëndroj para jush me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe përulësie, ndërsa mbyll një kapitull të rëndësishëm në jetën time profesionale. Përfundimi i mandatit tim si Dekan nuk është thjesht një përmbyllje, por një mundësi për të reflektuar mbi një udhëtim që ka qenë i mbushur me sfida, me plot përpjekje e shum sakrifica e angazhime që kërkonin përkushtim të plotë, madje edhe përtej çdo limiti njerëzor, si dhe përgjegjësi shum të mëdha, të cilat i kam përqafuar me përkushtim dhe vendosmëri të plotë për t’ia dalur mbanë.

Kur u vendosa në këtë pozitë, e ndieva peshën e madhe të përgjegjësive që më prisnin. Muhamedi a.s. (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kushdo që i besohet një detyrë, duhet ta përmbushë atë me sinqeritet dhe përkushtim“. Ky parim Islam më ka udhëhequr gjatë gjithë kësaj kohe. Çdo vendim, çdo veprim që kam ndërmarrë, ka pasur në themel të tij qëllimin e pastër për të mirën e fakultetit, për t’i dhënë vlerë arsimit dhe për të ngritur lart emrin e këtij institucioni të nderuar. Në një hadith të tjetër Muhamed (paqja qoftë mbi të) thuhet: “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve, dhe secili do të marrë atë që synon“. Mësim ky i thellë me të cilin kam vepruar gjatë gjithë mandatit tim. Çdo vendim që kam marrë, çdo hap që kam ndërmarrë, ka pasur në themel synimin për të përmirësuar arsimin, për të ngritur standardet dhe për të krijuar një mjedis që frymëzon zhvillimin intelektual dhe personal të të gjithëve.

Përgjegjësitë e këtij posti nuk kanë qenë të lehta, por përpjekjet e mia kanë qenë të palodhshme. Me përkushtim të plotë, kam kërkuar të jem një shërbëtor i denjë i këtij komuniteti, duke ndjekur këshillat e urta të popullit tonë, që thotë: “Kush punon me shpirt, ka gjithnjë diçka për të thënë“. Sot, e shoh këtë si një dëshmi të punës sonë të përbashkët dhe të fryteve që kemi korrur së bashku. Dua të theksoj se, në këtë rrugëtim, më është dashur të përballem me sfida shum të rënda dhe të mëdha që herë-herë kanë qenë të ashpra dhe të pamëshirshme. “E vetmja mënyrë për të shmangur kritikat është të mos bësh asgjë, të mos thuash asgjë, dhe të mos jesh asgjë“, është kjo një nga urtësitë e lashta, është kjo thënie që më kanë frymëzuar të mos trembem nga përgjegjësitë e mëdha, por të përballem me to me guxim dhe vendosmëri. Edhe kur kritikat kanë qenë të pashmangshme, kam mbetur i përqendruar në misionin tim, duke pasur në mendje që veprat e mira do të mbijetojnë dhe do të lënë një gjurmë të përjetshme. Me lejoni ti referohem një thënie filozofike që thotë: “Kurajo është virtyti që e bën shpirtin të përballojë çdo gjë që e ndan nga realizimi i të mirës“. Në çdo moment kam pasur kurajon të përballem me vështirësitë, duke qëndruar i palëkundur në qëllimin tim për të çuar përpara zhvillimin akademik dhe institucional. Kjo kurajo nuk ka qenë e imja vetëm, por është rritur dhe forcuar nga mbështetja e pakushtëzuar që kam marrë nga ju të gjithë, e veçanërisht nga studentët tanë të dashur të cilët gjithmonë më kanë frymëzuar me etjen e tyre për dituri dhe përparim.

Një nga momentet më të rëndësishme për mua ka qenë të jem dëshmitar i rritjes së këtij institucioni. Duke u mbështetur në një nga urtësitë e popullit tonë që thotë: “Puna me nder, të nderon“, pikërisht kam kërkuar të ndërtojmë një fakultet ku puna dhe përkushtimi të vlerësohen, ku secili prej nesh të ndjejë se kontribuon në diçka më të madhe, në diçka që lë një trashëgimi të vlefshme për brezat që do të vijnë.

Studentët të dashur, ju jeni frymëzimi i vërtetë i gjithë kësaj përpjekjeje. Një proverb i urtë shqiptar thotë: “Dituria është si një pemë e cila lulëzon dhe jep fryte për të gjithë”. Ju jeni ata që do të mbani këto fryte dhe do t’i shpërndani në të gjithë botën. Të mos keni frikë nga sfidat që ju presin. Përkushtimi dhe puna e palodhshme do t’ju çojnë drejt suksesit, dhe mos harroni kurrë se rruga drejt arritjeve të mëdha fillon me hapat e vegjël, por të vendosur.

Prandaj, përkushtimi im ndaj këtij fakulteti nuk ka qenë një detyrë e lehtë. Ka pasur netë të gjata pa gjumë, momente pasigurie dhe pyetje të vazhdueshme nëse vendimet që po merrja ishin ato të duhura. Por çdo herë që kam dyshuar, jam rikthyer tek fjalët e urta të Muhamedit a.s. (paqja qoftë mbi të), i cili ka thënë: “Nëse i përkushtohesh një detyre, përpiqu ta kryesh me përsosmëri” Ky udhëzues ka qenë ylli im polar, duke më ndihmuar të qëndroj në rrugën e duhur, pavarësisht stuhive që më janë shfaqur përpara. Poashtu, ajo që më ka frymëzuar shumë gjatë këtij rrugëtimi është thënia : “Fjala e urtë është si ari, e bukur dhe e rëndë“. Kam kërkuar që çdo fjalë që kam thënë, çdo këshillë që kam dhënë, të jetë e bazuar në urtësi dhe drejtësi, duke u përpjekur të jem një shembull i mirë për të gjithë. Islami na mëson se fjala dhe veprimi duhet të jenë gjithmonë në harmoni, dhe këtë kam synuar gjatë gjithë mandatit tim: të përputh fjalët me veprat, dhe të krijoj një mjedis ku të gjithë të ndihen të motivuar dhe të frymëzuar për të dhënë më të mirën e tyre.

Studentë të dashur, ju jeni zemra e këtij institucioni. Ju jeni arsyeja për të cilën Ne, si staf akademik, zgjohemi çdo ditë me dëshirën për të bërë më shumë dhe më mirë. “Dituria është më e vlefshme se çdo pasuri” thotë një proverb shqiptar, që unë e besoj plotësisht këtë. Kam punuar me gjithë shpirt për t’ju dhënë juve mjetet e nevojshme për të ndërtuar një të ardhme të ndritur, për t’ju frymëzuar që të bëheni udhëheqësit e së nesërmes, të pajisur me dituri dhe vlera të larta morale.

Ndërsa shikoj përpara, e di që ky nuk është një fund, por një fillim i ri. “E ardhmja i përket atyre që për të përgatiten sot“. Ne kemi bërë ate që kemi bërë, por ka ende shumë për të bërë. Fakulteti ynë është një organizëm i gjallë, që kërkon kujdes dhe përkushtim të vazhdueshëm. Unë do të mbetem gjithmonë një pjesë e këtij institucioni, duke kontribuar në çdo mënyrë që nevojitet, gjithmonë duke mbështetur dhe duke inkurajuar zhvillimin dhe përparimin tuaj.

Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen, bashkëpunimin dhe përpjekjet e përbashkëta gjatë këtyre viteve. Kam besimin e plotë se fakulteti Ynë do të vazhdojë të rritet dhe të lulëzojë, i pandikuar nga forcat e jashtme (cilatdo qofshin natyre ato) duke prodhuar gjenerata të reja që do të çojnë përpara vlerat dhe traditat tona më të mira.

Për në fund, dua t’ju lë me një mesazh inkurajimi: Mos e humbni kurrë besimin në vetvete dhe në fuqinë e bashkëpunimit. Secili prej jush ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në të ardhmen e këtij fakulteti dhe të shoqërisë tonë në përgjithësi. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku, me përkushtim dhe ndershmëri, duke synuar gjithnjë për të lartësuar arsimin dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur.

Theksoj se ky moment nuk është një lamtumirë, por një falënderim i thellë për të gjithë ju dhe një angazhim që Unë do të jem gjithnjë pranë jush, për t’ju mbështetur dhe për të kontribuar në çdo mënyrë që mundem.

Edhenjherë më lejoni t’ju falënderoj nga zemra për mbështetjen tuaj, për bashkëpunimin dhe që qendruat me Mua për të shërbyer në këtë detyrë të rëndësishme.

Zoti ju bekoftë dhe ju dhëntë sukses në çdo hap të jetës tuaj !

Faleminderit nga zemra !

MË LEJONI TË SHPALL TË HAPUR VITIN AKADEMIK !

 

FJALIM I DEKANIT  TË ZGJEDHUR TË FSHI-SË PROF. DR. ABDULXHEMIL NESIMI ME RASTIN E FILLIMIT TË VITIT TË RI AKADEMIK 2024/2025

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ


قُلْ هَلْ يَسْتَوِي الَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَالَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ

“Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” (Ez Zumer : 9)

I nderuar dekanë, Staf akademik dhe bashkëpunëtor të administratës,

I nderuar Kryetar i Parlamentit Studentor,

Të nderuar studentë, Pjesëmarrës e mysafirë,

Të nderuar studentë të rinj,

 السلام عليكم و رحمة الله و بركاته

Kjo ditë është nga më të rëndësishmet për Fakultetin e Shkencave Islame – Shkup, sepse sot i hapim dyert e Fakultetit tona për studentët e rinj, ditë e cila për brucoshët tanë paraqet kthesën e madhe jetësore dhe fillimin e rrugëtimit për një të ardhme më të lumtur, të sigurt dhe me perspektivë.

Në këtë fillim tetori, mijëra studentë të rinj i fillojnë studimet e tyre universitare, sikundër mijëra të tjerë vazhdojnë rrugën e diturisë për të arritur më të mirën për ta dhe për qytetarët tanë.

Të nderuar studentë,

Përcaktimi Juaj për të ndjekur rrugën e edukimit dhe arsimimit, jo vetëm që na e forcon besimin se e ardhmja do të jetë më e mirë, por neve si drejtues i këtij Institucioni na obligon që të vijojmë përpjekjet, angazhimin intensiv në ofrimin e shërbimeve bashkëkohore gjatë realizimit të procesit mësimor-shkencor.

Si mos jetë kështu, kur i Madhërishmi në ajetet e para qi ia shpalli njerëzimit përmes të Dërguarit të tij thotë:

اقْرَأْ وَرَبُّكَ الْأَكْرَمُ *الَّذِي عَلَّمَ بِالْقَلَمِ*  عَلَّمَ الْإِنسَانَ مَا لَمْ يَعْلَمْ

“Lexo për Zotin tënd Bujar! Është Ai që ua mësoi pendën. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte” (El Alek : 3-5)

Meqenëse dituria ka një vlerë dhe nder të madh tek Allahu i Madhërishëm, Ai e mësoi Pejgamberin (a.s.), nëpërmjet tij edhe neve që ta kërkojmë atë. Andaj, Muhamedi (a.s.) ka thënë:

“Kush ndjek një rrugë, duke kërkuar diturinë, Allahu do t’ia lehtësojë atij rrugën për në Xhenet. Engjëjt lëshojnë flatrat e tyre për kërkuesin e diturisë, (dhe) këtë e bëjnë nga kënaqësia për shkak të veprimit të tij.” 

Duke marrë para sysh ajetet Kur’anore dhe prononcimet Profetike , Fakulteti i Shkencave Islame  me profesorët dhe programet studimore, tanimë ofron modelin e arsimimit që shpie drejt njohjeve të reja shkencore në shërbim të zhvillimit, rritjes së kapaciteteve intelektuale dhe përgatitjen e kuadrove me përgjegjësi si qytetarë të denjë të vendit tonë.

Po ashtu, ky fakultet e ka dëshmuar se është i hapur për të gjithë, ka ndërtuar një mekanizëm profesional të bashkëpunimit të suksesshëm me të gjitha institucionet relevante vendore dhe më gjerë.

 

I nderuar staf akademik, studentë të dashur, dhe miq të fakultetit tonë,

Me nder dhe përgjegjësi të lartë, sot qëndroj para jush si Dekan i ri i Fakultetit të Shkencave Islame, me synimin për të çuar përpara këtë institucion, në bashkëpunim të ngushtë me Riasetin e BFI-së, Themeluesin e saj, Institucionet  dhe me të gjithë ju.

Ky vit i ri akademik përbën një udhëtim të ri për të gjithë ne – një udhëtim në kërkim të dijes, mençurisë dhe reflektimit të thellë mbi vlerat që përfaqësojmë.

Në këtë kohë dinamike, edukimi islam përbën një rol thelbësor jo vetëm në formimin e dijetarëve të së nesërmes, por edhe në ndërtimin e individëve të cilët udhëhiqen nga parimet e drejtësisë, mëshirës dhe përkushtimit ndaj shoqërisë.

Ndërsa hyjmë në këtë vit të ri, qëllimi ynë nuk është thjesht të mësojmë, por të kuptojmë thellësisht dhe të praktikojmë mësimet e Islamit në çdo aspekt të jetës sonë.

Në bashkëpunim me ju, do të përpiqemi të krijojmë një ambient që nxit dialogun e hapur, kërkimin shkencor dhe përkushtimin shpirtëror. Bashkërisht, do të ndërtojmë një fakultet që jo vetëm transmeton dije, por edhe formon liderë që e sjellin atë dije në shërbim të shoqërisë.

Të gjithë ne, bashkë me studentët shpresoj që do të punojmë që tu japim përgjigje të gjitha problemeve që i kemi dhe do të na dalin në të ardhmen, fundja për këtë janë shkollat dhe fakultetet.

Le të jetë ky vit një fillim i mbarë, ku çdo hap që hedhim të jetë një hap drejt arritjes  së vërtetës dhe një të ardhme më të ndritur për të gjithë ne.

URIME VITIN E RI AKADEMIK, Ju dëshiroj suksese dhe punë të mbarë në këtë udhëtim të përbashkët.

Paqe dhe begati për të gjithë ju!

 

Me respekt,

Prof. Dr. Abdulxhemil NESIMI

Dekan i zgjedhur i FSHI- së