Informimi me risitë dhe mundësitë që ofron programi Erasmus+, ishte qëllimi i prezantimit për studentët dhe stafin akademik dhe administrativ, që u organizua të enjten (25 maj 2023), në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, nga përfaqësuesit e Agjensionit Kombëtar për Programet Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmërinë dhe Koordinatori i Erasmus+ në fakultetin tonë, Doc. Dr. Muaz Agushi.
Përfaqësuesit e agjensionit, Mr. Aleksandar Bogojevski, udhëheqës i sektorit për mobilitet në fushën e arsimit të lartë dhe udhëheqësin e sektorit për partneritete strategjike në fushën e arsimit të larte z. Armend Luta, dekani i FSHI-së, Prof. Dr. Shaban Sulejmani në fillim i priti në zyrën e tij ku falënderoi mysafirët për vizitën që i kanë bërë FSHI-së dhe në pika të shkurtëra prezantoi rrugëtimin e Fakultetit tonë ndër vite që nga koha e themelimit e deri në ditët e sotme.
Më pas në amfiteatrin e fakultetit, përfaqësuesit e Agjensionit Kombëtar për Programet Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmërinë, në prezantimin e tyre potencuan hapat kyç që duhet t’i ndjekin studentët dhe të jenë përfitues të Erasmus+. Gjithashtu u fokusuan në prezantimin e mundësive dhe risitë e programit Erasmus+ për këmbimin e stafit akademik dhe atë administrativ.
Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup, këtë vit është bërë pjesë e programit evropian “Erasmus+”, program ky që bashkon programet e BE-së për arsimin, trajnime, rininë dhe sportin. Studentët që studiojnë në Fakultetin e Shkencave Islame, nga viti akademik 2023/2024 do të kenë mundësi që një pjesë të studimeve ta kryejnë në universitetet evropiane por edhe ato botërore duke fituar një përvojë të vlefshme që iu shkon përshtat kërkesave të tregut. Ky program do të jetë një mundësi mobiliteti për stafin akademik dhe administrativ për tu njohur me një hapësirë multikulturale, me metodologji të reja të kërkimit shkencor apo edhe forma të tjera të mësimdhënies, e që mund të vijnë t’i implementojnë ato në Fakultetin e Shkencave Islame.