Sot, më 04.02.2025, Drejtori i Medresesë “Isa Beu”, Dr. Islam Islami, Koordinator i Medresesë së Vajzave në Tetovë, Dr. Beqir Memeti, së bashku me profesoreshat dhe maturantet, vizituan Fakultetin e Shkencave Islame për të uruar zgjedhjen e Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi si dekan të ri.

Delegacioni fillimisht i uroi stafin akademik për zgjedhjen e Dekanit, duke shprehur vlerësimin për mundësitë që ky institucion ofron për zhvillimin e arsimit islam, duke pasur parasysh që delegacioni i pranishëm është kuadër i dalë nga kjo vatër shkencore. Njëherit, vizita dhe uratat tregojnë mbështetje të pakushtëzuar për drejtuesin e ri të Fakultetit, duke dhënë mesazhin se të dyja palët e vlerësojnë njëra-tjetrën dhe janë të gatshme për të bashkëpunuar në të ardhmen.

Në atmosferën mikpritëse dhe bashkëpunuese, Dekani shprehu mirëseardhje Drejtorit, Koordinatorit, profesoreshave dhe maturantëve të Medresesë, duke theksuar se një vizitë e tillë ndihmon në ndërtimin e një lidhjeje më të fortë dhe inkurajon maturantet të njoftohen nga afër me mundësitë që ofron Fakulteti.

Në pritje të delegacionit ishte prodekani, Prof. Dr. Ziber Lata, sekretari, Mr. Neim Misimi, përgjegjësi për çështjet administrative, Sulejman Idrizi, dhe referentja Lejla Zekir.

Pritje të veçantë delegacionit të Medresesë i bënë edhe absolventët e Fakultetit, të cilët i njoftuan vizitorët me ambientet dhe kushtet që ofron fakulteti, duke përfshirë sallën e mbledhjeve, amfiteatrin, bibliotekën, e kështu me radhë.

Në fund të vizitës, si shenjë respekti, u bë shkëmbimi i dhuratave mes Dekanit të Fakultetit dhe Koordinatorit të Medresesë, një moment i veçantë që shpreh vlerësimin dhe miqësinë mes dy institucioneve.