Sot, më 07.09.2026, Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup zhvilloi mbledhjen e 75-të të rregullt, të kryesuar nga Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi. Për shkak të agjendës së ngjeshur, në mbledhje nuk pati mundësi të marrë pjesë Reisul Ulema i BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, ndërsa në emër të tij mori pjesë Shefi i Kabinetit, Doc. Dr. Abdulkerim Iseni.

Mbledhja u përqendrua në çështje me rëndësi për avancimin e veprimtarisë akademike dhe mësimore-shkencore, si dhe në përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik 2026/2027.

Pas miratimit të rendit të ditës dhe procesverbalit të mbledhjes së 74-të, u morën vendime për formimin e dy komisioneve recenzuese për zgjedhjen e mësimdhënësve në të gjitha thirrjet mësimore-shkencore.

Në kuadër të përgatitjeve për vitin e ri akademik, u miratua kalendari i punës për vitin 2026/2027 dhe u përcaktua përbërja e Komisionit për përgatitjen e Programit Vjetor të Punës. Gjithashtu, u mor vendim për shpalljen e konkursit për demonstrator në Fakultetin e Shkencave Islame.

Në vazhdim, anëtarët u informuan për ecurinë e procesit të pranimit të studentëve për vitin akademik 2026/2027. Po ashtu, u shqyrtuan ankesat, kërkesat dhe çështje të tjera me rëndësi për funksionimin dhe mbarëvajtjen e punës së Fakultetit.

Mbledhja e 75-të e rregullt dëshmon përkushtimin e Fakultetit të Shkencave Islame për forcimin e standardeve akademike, zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve mësimore-shkencore dhe krijimin e kushteve për një vit të ri akademik të mirëorganizuar, cilësor dhe të suksesshëm.