Sot, më 04.12.2025, Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, zhvilloi një bisedë zyrtare me Rektorin e Universitetit al-Kasimije në Emiratet e Bashkuara Arabe, Prof. Dr. Avad al-Halef.
Në fillim të takimit, Dekani përshëndeti pjesëmarrësit dhe falënderoi Rektorin e Universitetit al-Kasimije për iniciativën dhe gatishmërinë për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta me Fakultetin e Shkencave Islame. Prof. Dr. Nesimi prezantoi një kronologji të shkurtër për historikun dhe zhvillimin e Fakultetit, si dhe një retrospektivë për të diplomuarit. Ai gjithashtu paraqiti aspiratën për themelimin e Institutit të Gjuhës Arabe në kuadër të Fakultetit.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy qendrave akademike, përfshirë vizita të ndërsjella, shkëmbim të profesorëve dhe vizita studimore për studentët. Dekani propozoi që në ciklin e dytë të studimeve, gjatë mbrojtjes së tezave të Masterit, anëtarë të komisioneve vlerësuese të jenë profesorë nga Universiteti al-Kasimije.
Në takim morën pjesë edhe Prof. Ismail Husein dhe Prof. Dr. Zakarija Nuh.
Në përfundim të takimit, palët ranë dakord të nënshkruajnë një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Universitetit al-Kasimije dhe Fakultetit të Shkencave Islame. Rektori, Prof. Dr. Avad al-Halef, falënderoi Dekanin dhe shprehu dëshirën që takimi zyrtar të realizohet sa më shpejt, me qëllim hapjen e mundësive të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Në këtë kontekst, Fakulteti shpreh mirënjohje të veçantë për Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Emiratet e Bashkuara Arabe, z. Abdulkader Memedi, për mbështetjen e tij në zhvillimin e këtij bashkëpunimi akademik.
