Drejtoria e Dekanatit të Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup mbajti mbledhjen e rregullt, në të cilën u diskutuan dhe u shqyrtuan një sërë çështjesh me rëndësi për funksionimin dhe zhvillimin e institucionit.

Me seancën udhëhoqi dekani, Prof. dr. Abdulxhemil Nesimi, i cili në fjalën e tij hyrëse theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet strukturave akademike dhe administrative, me qëllim ngritjen e cilësisë në arsim dhe avancimin e proceseve mësimore dhe shkencore.

Gjatë mbledhjes u trajtuan çështje që lidhen me ecurinë e procesit mësimor, organizimin e kolokviumeve dhe provimeve për Ciklin e II, angazhimin e stafit akademik, si dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj studentëve. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe zhvillimit të programeve studimore dhe përshtatjes së tyre me standardet bashkëkohore dhe nevojat e tregut të punës.

Në kuadër të diskutimeve, anëtarët e Drejtorisë theksuan rëndësinë e nxitjes së kërkimit shkencor, organizimit të konferencave, seminareve dhe aktiviteteve të tjera akademike, të cilat kontribuojnë në pasurimin e jetës universitare dhe në rritjen e bashkëpunimit me institucione të ngjashme brenda dhe jashtë vendit.

Në përfundim të mbledhjes, u morën disa vendime konkrete dhe u përcaktuan hapat e mëtejmë për realizimin e objektivave strategjike të fakultetit, me synim avancimin e mëtejshëm të cilësisë dhe rolit të tij në shoqëri.