Më 10 prill 2025 (e enjte), Fakulteti Shkencave Islame – Shkup pati kënaqësinë të mirëpresë në ambientet e tij Muftiun e Tetovës, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili, i cili realizoi një vizitë zyrtare urimi me rastin e zgjedhjes së Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi në detyrën e Dekanit të këtij institucioni.

Gjatë takimit, Muftiu Xhemaili shprehu urimet e tij të sinqerta për angazhimin dhe përgjegjësinë e re të marrë nga Dekani, duke vënë në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet Muftinisë së Tetovës dhe Fakultetit të Shkencave Islame. Ai theksoi se është i gatshëm të kontribuojë në thellimin e këtij bashkëpunimi, në të mirë të zhvillimit të arsimit fetar dhe të përbashkëtave institucionale.

Nga ana e tij, Dekani Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi falënderoi Muftiun e nderuar për vizitën dhe për urimet e përzemërta, duke ritheksuar se Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup mbetet gjithmonë i hapur për bashkëpunim me Muftininë e Tetovës, si dhe me të gjitha institucionet që ndajnë vlera të përbashkëta në shërbim të dijes, besimit dhe shoqërisë.

Në fund të vizitës, Muftiu i Tetovës i dhuroi Dekanit një pikturë artistike që paraqet Xhaminë e Larme, si shenjë simbolike e respektit dhe nderimit.