Sot, më 04.06.2026, në ambientet e Fakultetit të Shkencave Islame, Dekani, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, i shoqëruar nga Prof. Dr. Shinazi Memedi, sekretari Neim Misimi dhe stafi administrativ, priti një mysafir të veçantë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Shejh Salim Ahmed Muhamed Al Kasimi, së bashku me delegacionin e tij.
Gjatë takimit u zhvillua një bisedë miqësore dhe konstruktive, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit institucional, shkëmbimit të përvojave dhe promovimit të vlerave të arsimit, dijes dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Mysafirët u njohën nga afër me veprimtarinë akademike, arsimore dhe shkencore të Fakultetit, si dhe me projektet dhe vizionin e tij për zhvillimin e mëtejshëm.
Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për mbështetjen e dhënë ndër vite, Fakulteti i Shkencave Islame i dhuroi mysafirit një dhuratë simbolike institucionale, si dëshmi e vlerësimit të thellë për kontributin e familjes së tij në realizimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë për arsimin dhe formimin akademik.
Vizita u realizua falë angazhimit të Ambasadorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Emiratet e Bashkuara Arabe, z. Abdulkader Memedi, të cilit Fakulteti i Shkencave Islame i shpreh mirënjohje të veçantë për kontributin e tij në forcimin e lidhjeve të bashkëpunimit dhe miqësisë.
Fakulteti i Shkencave Islame mbetet i përkushtuar në kultivimin e marrëdhënieve me institucionet dhe personalitetet ndërkombëtare, duke promovuar bashkëpunimin, respektin e ndërsjellë dhe zhvillimin e qëndrueshëm akademik.
















