Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, i shoqëruar nga Doc. Dr. Mumin Omerov dhe sekretari Mr. Neim Misimi, po merr pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar me temë “Dimensionet fetare, historike, kulturore dhe shoqërore të festave”, i organizuar nga Universiteti Dumlupınar, Fakulteti i Ilahijatit në Kütahya të Turqisë.
Ky aktivitet shkencor ndërkombëtar mbledh studiues, profesorë dhe hulumtues nga vende të ndryshme të botës, me qëllim të trajtimit akademik të rolit dhe rëndësisë së festave në aspektin fetar, historik, kulturor dhe shoqëror, si dhe ndikimit të tyre në ruajtjen e identitetit dhe traditës në shoqëritë bashkëkohore.
Në kuadër të simpoziumit, delegacioni i Fakultetit të Shkencave Islame u prit nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Süleyman Kızıltoprak, dhe Dekani i Fakultetit të Ilahijatit, Prof. Dr. İsmail Gülcen, të cilët shprehën kënaqësinë për pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin akademik ndërinstitucional ndërmjet dy institucioneve.
Prezenca e delegacionit u përshëndet gjithashtu nga protokolli organizativ, si dhe nga studiues e pjesëmarrës ndërkombëtarë, të cilët vlerësuan kontributin e Fakultetit të Shkencave Islame në promovimin e dialogut akademik, bashkëpunimit shkencor dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë.
Në kuadër të sesioneve shkencore, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi dhe Doc. Dr. Mumin Omerov u paraqitën me temën:
“Aktivitetet e Vakëfeve në Maqedoni gjatë Ramazanit dhe Bajramit nga Perandoria Osmane deri në Ditët e Sotme”.
Punimi trajton rolin historik dhe shoqëror të vakëfeve në organizimin e jetës fetare dhe humanitare gjatë muajit të Ramazanit dhe festës së Bajramit, duke paraqitur vazhdimësinë e traditës së vakëfeve nga periudha osmane deri në kohën moderne.
Simpoziumi dyditor përfshin sesione shkencore, diskutime akademike dhe prezantime studimore që trajtojnë rëndësinë e festave në ruajtjen e identitetit fetar, kulturor dhe shoqëror, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për bashkëpunim dhe komunikim akademik ndërkombëtar.







