Një delegacion i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga Reis-ul-Ulema, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, zhvilloi një vizitë uruese dhe vëllazërore te Myftiu i Bullgarisë, Ahmed ef. Hasanov.
Gjatë takimit, delegacioni i BFI-së përcolli urimet më të përzemërta, duke shprehur njëherësh konsideratën e lartë për Myftiun e Bullgarisë dhe për marrëdhëniet e mira e vëllazërore që ekzistojnë ndërmjet institucioneve islame të dy vendeve.
Në kuadër të bashkëbisedimit u theksua rëndësia e forcimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në fushën e arsimit fetar, shkencave islame, veprimtarisë akademike, si dhe shkëmbimit të përvojave dhe praktikave ndërmjet institucioneve islame të rajonit.
Në këtë vizitë, Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup u përfaqësua nga Dekani, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi. Prania e tij dëshmoi rëndësinë që i kushtohet dimensionit akademik dhe arsimor në zhvillimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale, si dhe në krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencave islame.
Vizita u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, vëllazërore dhe miqësore, ndërsa të dyja palët shprehën gatishmërinë dhe vullnetin e përbashkët për vazhdimin, avancimin dhe thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.