Sot, më 08.04.2026, Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, priti në një takim zyrtar Dekanin e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, Prof. Dr. Islam Hasani, i shoqëruar nga sekretari i këtij institucioni.
Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit akademik dhe institucional, ku u diskutuan mundësitë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy fakulteteve, me theks të veçantë në realizimin e projekteve të përbashkëta shkencore, hulumtuese dhe arsimore, organizimin e aktiviteteve akademike, si dhe në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira universitare në fushën e studimeve islame.
Një vëmendje e posaçme iu kushtua mundësive për zhvillimin e programeve të përbashkëta, pjesëmarrjes reciproke në konferenca, seminare dhe tryeza shkencore, si dhe fuqizimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të avancimit të cilësisë në arsimin e lartë.
Të dyja palët shprehën gatishmëri dhe përkushtim të plotë për intensifikimin e bashkëpunimit në të ardhmen, duke e konsideruar këtë partneritet si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve akademike në rajon dhe promovimit të vlerave të dijes, kërkimit shkencor dhe dialogut institucional.
Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme akademike, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e veprimtarisë mësimore-shkencore dhe në afirmimin e rolit të institucionit në hapësirën universitare rajonale dhe më gjerë.