Sot, në ambientet e Fakultetit të Shkencave Islame, u mbajt me sukses mbrojtja e dy temave të diplomës nga studentë të nivelit universitar, duke shënuar një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre akademik.
Kandidatet Sherife Miftari dhe Negihan Murtezi, nën mentorimin e Prof. Dr. Shinazi Memedi, dhe në prani të komisionit vlerësues të përbërë nga Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi dhe Prof. Dr. Jusuf Mustafai, prezantuan temat e tyre në mënyrë të strukturuar, profesionale dhe me argumentim shkencor të qëndrueshëm.
Temat e mbrojtura ishin:
-
“Gruaja dhe roli i saj në thirrjen islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, nga Sherife Miftari. Kjo temë trajtoi dimensionet historike dhe bashkëkohore të rolit të gruas në përhapjen e mësimeve islame, duke vënë në pah kontributin e saj në shoqëri dhe në edukimin fetar.
-
“Përhapja e Islamit në Ballkan dhe në Maqedoninë e Veriut”, nga Negihan Murtezi. Tema analizoi proceset historike të përhapjes së Islamit në rajon, ndikimin e komuniteteve myslimane, si dhe zhvillimet kulturore dhe fetare në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë mbrojtjes, kandidatët paraqitën rezultatet e hulumtimeve të tyre me qartësi dhe siguri, duke demonstruar përgatitje të lartë akademike, aftësi eliminimi dhe pjekuri shkencore. Komisioni vlerësues i çmoi punimet me nota të larta, duke theksuar cilësinë përmbajtësore dhe nivelin e prezantimit.
Në fjalën përmbyllëse, dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, përgëzoi kandidatët, mentorin, komisionin vlerësues dhe familjet e studentëve, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjeve të tilla për ngritjen e nivelit akademik dhe përgatitjen e kuadrove të reja profesionale në fushat islame dhe edukative. Ai i inkurajoi studentët që të vazhdojnë studimet pasuniversitare dhe të kontribuojnë aktivisht në zhvillimin e dijes islame në vend dhe rajon.
Fakulteti i Shkencave Islame shpreh kënaqësinë dhe krenarinë për suksesin e kandidatëve dhe për përkushtimin e stafit akademik, duke konfirmuar angazhimin e vazhdueshëm për ruajtjen dhe avancimin e standardeve të larta në edukim dhe kërkim shkencor.

