Sot, me date 31.12.2025 Këshilli Mësimor-Shkencor i Fakultetit të Shkencave Islame, i kryesuar nga prof. dr. Abdulxhemil Nesimi, mbajti mbledhjen e 69-të të rregullt.
Mbledhja u hap me lexim nga Kurani Famëlartë nga përfaqësuesi i studentëve, Ismail Ismaili.
Pas hapjes së mbledhjes nga Dekani, u miratua rendi i ditës si vijon:
• Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së kaluar;
• Miratimi i raportit të punës për vitin 2025
• Zgjedhja e Sekretarit të FSHI-së sipas konkursit me nr 04-463/1
• Shqyrtimi i ankesave dhe kërkesave;
• Të ndryshme.
Për secilën pikë të rendit të ditës u zhvillua debat i hapur, ku morën pjesë dhe diskutuan të gjithë profesorët.
Miratimi i raportit të punës për vitin 2025, i cili u prezantua nga Dekani dhe u vlerësua shumë pozitivisht nga Këshilli Mësimor-Shkencor për realizimin me sukses të aktiviteteve akademike, administrative dhe shkencore gjatë vitit raportues. Këshilli vlerësoi veçanërisht përkushtimin, përgjegjësinë dhe angazhimin profesional të stafit akademik dhe administrativ në përmbushjen e objektivave strategjike, forcimin e cilësisë së mësimdhënies dhe zhvillimin e vazhdueshëm institucional të Fakultetit. Raporti i punës u miratua në mënyrë unanime nga anëtarët e Këshillit.
Zgjedhja e Sekretarit të FSHI-së sipas konkursit me nr. 04-463/1, ku pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe ndjekjes së procedurës përkatëse, Sekretari i FSHI-së u zgjodh në mënyrë unanime nga anëtarët e KMSH, duke reflektuar konsensus dhe besim të plotë në vendimin e marrë.
Dekani falënderoi Reisul Ulem, h. hfz. Shaqir ef. Fetahu, profesorët për kontributin dhe angazhimin e tyre.
Reisul Ulem, h. hfz. Shaqir ef. Fetahu, në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar anëtarëve të Këshillit Mësimor-Shkencor, shprehu vlerësimin e lartë për rolin dhe kontributin e Fakultetit të Shkencave Islame në edukimin e brezave të rinj, ruajtjen e vlerave islame dhe avancimin e dijes akademike.
Ai theksoi se Fakulteti i Shkencave Islame përfaqëson një shtyllë të rëndësishme të arsimit fetar dhe shkencor në vend, duke kombinuar me përgjegjësi traditën islame me kërkesat bashkëkohore të arsimit të lartë. Në këtë drejtim, Reisul Ulema vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të stafit akademik, përkushtimin profesional të profesorëve dhe kontributin e tyre në formimin intelektual, moral dhe etik të studentëve.
Gjithashtu, ai përgëzoi Dekanin dhe Këshillin Mësimor-Shkencor për punën e realizuar gjatë vitit akademik, për vizionin zhvillimor të Fakultetit dhe për iniciativat që synojnë avancimin e programeve studimore, forcimin e kërkimit shkencor dhe ngritjen e cilësisë së mësimdhënies.
Në përmbyllje, Reisul Ulema uroi që bashkëpunimi institucional të vazhdojë edhe më tej, duke shprehur mbështetjen e plotë për çdo nismë që kontribuon në zhvillimin e Fakultetit dhe në shërbim të komunitetit dhe shoqërisë në përgjithësi, duke u dëshiruar anëtarëve të Këshillit suksese, mbarësi dhe begati në punën e tyre të ardhshme.
Mbledhja u përmbyll me lexim nga Kurani Famëlartë.

