Kryetari i Këshillit të Xhamisë së Kadrit në Gostivar, Haxhi Irfan Jashari, së bashku me imamët e xhamisë, Daut ef. Alili dhe Sokol ef. Izairi, si dhe Irfan Jashari (Junior), realizuan një vizitë zyrtare në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, ku u pritën nga Dekani i Fakultetit, Prof. dr. Abdulxhemil Nesimi.

Me këtë rast, delegacioni e uroi dekanin për angazhimin dhe punën e tij në drejtimin dhe zhvillimin e institucionit akademik, duke vlerësuar kontributin e tij në fushën arsimore dhe fetare.

Gjatë takimit, Dekani i Fakultetit i njoftoi mysafirët me aktivitetet e deritanishme të Fakultetit të Shkencave Islame, zhvillimet akademike, si dhe projektet aktuale dhe vizionin për të ardhmen e këtij institucioni të rëndësishëm arsimor.

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për angazhimin e Prof. dr. Abdulxhemil Nesimit si ligjërues në Xhaminë e Kadrit në Gostivar, Kryetari i Këshillit të Xhamisë, së bashku me Irfan Jasharin (Junior), i dhuruan dekanit dhurata simbolike: një pikturë të Xhamisë së Kadrit dhe një orë, si shprehje falënderimi dhe respekti për kontributin e tij fetar dhe edukativ.

Pas takimit zyrtar, Dekani, së bashku me mysafirët, realizoi një vizitë në ambientet e Fakultetit të Shkencave Islame, ku u njohën nga afër me ndërtesën, amfiteatrin, bibliotekën dhe hapësirat e tjera ku zhvillohet procesi akademik dhe shkencor.

Vizita u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, duke reflektuar bashkëpunimin dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet institucioneve fetare dhe atyre arsimore.