Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup pati kënaqësinë të mirëpresë në një vizitë miqësore profesor Bahri Aliun, ish-kryetar i Bashkësisë Fetare Islame, drejtor dhe profesor në Medresenë “Isa Beu”, tashmë në pension. Profesori ishte i shoqëruar nga disa miq të tij të afërt.

Dekani i Fakultetit, prof. Abdulxhemil Nesimi, së bashku me profesorë dhe anëtarë të administratës, e priti me respekt dhe i uroi mirëseardhje të përzemërt. Ai shprehu mirënjohje për kontributin e çmuar të profesorit Aliu në zhvillimin e arsimit fetar dhe në ruajtjen e vlerave islame në vendin tonë.

Gjatë takimit u zhvillua një bisedë e ngrohtë për historikun e arsimit islam, përvojat e fituara gjatë shërbimit fetar dhe sfidat e arsimit bashkëkohor.
Në shenjë respekti dhe miqësie, u shkëmbyen dhurata simbolike. Profesori Bahri Aliu i dhuroi dekanit një nga veprat e tij autoriale, si shenjë nderimi.

Në përfundim, dekani prof. Abdulxhemil Nesimi e falënderoi profesorin Aliu për kontributin e tij shumëvjeçar në fushën e arsimit dhe jetën fetare islame, duke i uruar shëndet, qetësi dhe suksese në jetën pas pensionimit.