Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit akademik, dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, mori pjesë në Konferencën shkencore “Takimi i Dijetarëve të Ballkanit”, e cila u mbajt në qytetin Edirne të Turqisë.
Konferenca u organizua nga Fondacioni i Dijetarëve Islam, dhe mblodhi një numër të madh dijetarësh, profesorësh dhe personalitetesh fetare nga vendet e Ballkanit dhe bota islame. Në këtë ngjarje të rëndësishme shkencore dhe fetare mori pjesë edhe kryetari i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, Prof. Dr. Ali Karadagi, i cili mbajti një ligjëratë me temë mbi roli e dijetarëve në forcimin e bashkëpunimit dhe përhapjen e mesazhit të moderuar të Islamit.
Pjesëmarrja e dekanit të Fakultetit të Shkencave Islame në këtë konferencë përbën një kontribut të çmuar në thellimin e bashkëpunimit akademik dhe fetar ndërmjet institucioneve islame të rajonit dhe botës. Njëherësh, ajo shërben edhe si prezantim i denjë i rolit dhe angazhimit të Fakultetit tonë në zhvillimin e studimeve islame dhe në ndërtimin e urave të mirëkuptimit ndërmjet dijetarëve dhe institucioneve arsimore islame në nivel ndërkombëtar.


