Në ambientet e Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup u zhvillua ceremonia solemne e fillimit të vitit të ri akademik 2025/2026, e cila u karakterizua nga një atmosferë të ngrohtë, shpirtërore dhe akademike.
Ceremonia filloi me leximin e disa ajeteve Kur’anore nga studenti Hfz. Xhelil Havziu, duke e hapur këtë ngjarje me mesazhe të frymëzuara nga drita e Librit të Shenjtë.
Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete të larta fetare e arsimore, ndër të cilët Reis-ul-Ulema i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Sekretari Gjeneral i BFI-së, H. Irsal ef. Jakupi, drejtori i Medresesë “Isa Beu” – Shkup, Dr. Islam Islami, muftinjtë e muftinive të Bashkësisë Fetare Islame në RMV: Muftiu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili; Muftiu i Gostivarit, H. Sabahudin ef. Zendeli; Muftiu i Strugës, H. Adi ef. Murtishi; Muftiu i Manastirit, Amit ef. Rasimi; Muftiu i Ohrit, Samet ef. Ajdari, drejtorë të sektorëve të ndryshëm të Rijasetit si dhe koordinatorët e medreseve.
Në fjalimin e tij, Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, theksoi rolin e Fakultetit si vatër e dijes dhe edukimit fetar, duke nënvizuar përkushtimin e institucionit për formimin e kuadrove të reja me vlera akademike, morale dhe shpirtërore. Ai përgëzoi studentët për zgjedhjen e tyre për të ndjekur rrugën e dijes dhe shërbimit në fenë dhe kombin, duke i inkurajuar që studimet t’i shohin si mision dhe përgjegjësi shoqërore.
Ndërsa Reis-ul-Ulema, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në fjalimin e tij vuri në pah vlerën e dijes në jetën e njeriut dhe rolin e institucioneve fetare në ruajtjen e identitetit, moralit dhe drejtësisë. Ai theksoi se dija është dritë që ndriçon shoqërinë dhe se studentët e këtij Fakulteti bartin mbi supe një amanet të shenjtë – atë të dijes dhe përhapjes së së mirës.
Në kuadër të ceremonisë, Dekani dhuroi Reis-ul-Ulemasë dhe Muftinjve të pranishëm numrin më të ri të Revistës Shkencore “Përmbledhje Punimesh nr. 5”, botim i Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup.
Ceremonia u përmbyll me shpërndarjen e indekseve studentëve të rinj, të cilët zyrtarisht filluan rrugëtimin e tyre akademik në këtë institucion të lartë arsimor.
Ngjarja u moderua me profesionalizëm nga studentja Ebru Ajdari, ndërsa në fund u realizua një foto e përbashkët e stafit akademik, të ftuarve dhe studentëve.
Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup u uron të gjithë studentëve një vit të mbarë, të frytshëm dhe të bekuar me dritën e dijes dhe suksesit!











